Intervistë me këngëtaren Shqipe Kastrati: Publiku të mban gjallë dhe publiku të rrëzon përtokë!

  • 01 December 2019 - 21:00
Intervistë me këngëtaren Shqipe Kastrati: Publiku të mban gjallë dhe publiku të rrëzon përtokë!

Intervistë për “Kosova Sot Online” me këngëtaren Shqipe Kastrati

Këngëtarja e njohur e muzikës popullore Shqipe Kastrati për herën e parë këndoj para publikut në moshën 12 vjeçare, për t'iu bashkangjitur më pas SHKA "Agimi" në Prizren.

Kënga e saj e parë titullohej: "Hajde hajde kosovare".

Se Shqipja kishte vërtetë talent për muzikë, e dëshmojnë edhe shumë çmime të fituara ndër vite në festivale të ndryshme.

Vlen t'i përmendim: çmimin e parë në festivalin "Kosovarja këndon (1983), çmimi "Mikrofoni i artë", në Radio Prishtinën (1987), pjesmarrëse në Polifest 2008 me këngën "Gishtat me Dukat"etj.

Image

Albumi i parë i këngëtares "Pyet Kosova kush lufton", është publikuar në vitin 1990, gjersa albumi i radhës "Kthimi i Mergimtarit", për shkak të situatës atbotë do të vinte disa vite më vonë.

Ndër vite këngëtarja ka bashkëpunuar me shumë kolegë me këngë e popturi të ndryshme dhe vazhdon të jetë aktive edhe sot duke kënduar në mbrëmje muzikore, manifestime e dasma.

Në një intervistë për gazetën "Kosova Sot Online", këngëtarja Shqipe Kastrati, shpalos shumë të pathëna, rreth jetës, karrierës dhe sfidave nëpër të cilat po kalon muzika popullore shqipe sot.

“Kosova Sot Online”: Kënga e fundit që keni publikuar, titullohet “Toka ime”, kush janë autorët dhe sa jeni ndarë i kënaqur me këtë projekt?

Shqipe Kastrati: Muzika dhe orkestrimi nga kompozitori i njohur Edi Balili ndërsa tekstin e ka shkruar Valmir Lleshi, me ecurinë e kënges jam shumë e kënaqur dhe përkrahja e adhuruesve të mi ka qenë shumë e madhe, kjo do të mbetet ndër këngët e mia më të bukura!

Image

“Kosova Sot Online ”: E kujt ishte ideja që në videoklip, në rolin e Nënës të paraqitej aktorja e madhe shqiptare Leze Qena?


Shqipe Kastrati: Ideja për aktoren më të dashur të popullit shqiptar Leze Qena ka qenë e imja, por dua të falenderoj menagjerin tim Flori Çoçaj që çdo kërkesë apo dëshirë timen rreth këngëve e bën teë pamundur për ta realizuar!

Image

“Kosova Sot Online”: Gjatë karrierës, keni realizuar shumë këngë, por cilat mbetën këngët më të dashura për ty që më ëndje i këndon?

Shqipe Kastrati: E vështirë të dallosh këngët që ke kënduar me vite e vite, por do të veçoja këngën "Seç mu dogj kjo zemër shkreta", teksti dhe muzika ka qenë nga Haxhi Maqellara, me të cilën këngë kam fituar mikrofonin e artë ne vitin 1987, pastaj "Ministritë në Londër", e shumë e shumë të tjera!

Image

“Kosova Sot Online”: Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?

Shqipe Kastrati: Unë edhe fëmijërinë time e kam kaluar me muzikë, kam filluar në moshën 13 vjeçare të këndoj, por do të kujtoja fillimet e karrierës sime, ku në çdo paraqitje timen ishte tani i ndjeri babai im.

Image

“Kosova Sot Online ”: A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Shqipe Kastrati: Po shumë herë më janë ofruar këngë te cilat nuk kanë qenë të stilit tim dhe asnjëherë për asgjë nuk do të dilja nga vetja për përfitime ose diçka tjetër!

Image

“Kosova Sot Online ”: Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Shqipe Kastrati: Provokime në skenë ndoshta mund të ketë në zhanret tjera të muzikës por në muzikën popullore asgjë tjetër nuk vlerësohet përpos zerit!

Image

“Kosova Sot Online ”: Nga videot e postuara në rrjetet sociale, duket se përveç atmosferës që krijon në mbrëmje muzikore e dasma, je shumë e afërt edhe me publikun, a mendoni që thjeshtësia ka premisë në sukses ?

Shqipe Kastrati: Afërsia me njerëzit, thjeshtësia përpara publikut, janë gjërat kryesore që të mbajnë në skenë, publiku të mban gjallë dhe publiku të rrëzon përtokë!

Image

“Kosova Sot Online ”: U bënë disa vite që jeton në Amerikë, konkretisht në Nju Jork nëse se kam gabim, sa janë të oragnizuar bashkatdhetarët tanë dhe si është një ditë e rëndomtë e Shqipes?

Shqipe Kastrati: Po, unë jetoj në New York, këtu ku jetoj unë dasmat bëhen njësoj si në Kosove e Maqedoni, por që këtu bëhen vetëm vikendit për shkak se gjatë javës shumica punojnë. Organizime ka shumë sidomos nëpër festa dhe thuajse çdo festë ose vikend, jam e angazhuar qoftë me dasma ose e ftuar në festat tona!

Image

“Kosova Sot Online”: Me cilin këngëtarë do të preferoje ta realizoje një bashkëpunim?

Shqipe Kastrati: Me të gjithe ata që kendojnë bukur, këngën e bukur shqipe, edhe pse janë të pakët!

Image

“Kosova Sot Online”: Sipas jush, ku është muzika popullore sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual, apo duhet ndryshime urgjente?

Shqipe Kastrati: Muzika popullore shqipe, është lënë shumë anash nga institucionet tona, në radhë të parë, pastaj ajo që është urgjente në këtë drejtim është që t'i pengojmë të gjithë ata që po mundohen ta prishin këngën e bukur shqipe për përfitime personale...

Kënga shqipe, është këngë shqipe.

Image

“Kosova Sot Online ”: A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë 2020?

Shqipe Kastrati: Do të sjell album me kënge live, këngë dasmash, ndërsa këngë të reja patjetër do të sjell çdo vit diçka të re për të gjithë adhuruesit e zërit tim!

Image

“Kosova Sot Online”: Cila është motoja që Shqipja përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Shqipe Kastrati: Asnjëherë nuk mund të bëhesh, ajo që nuk je, por dhe atë që ke askush nuk mund të ta mohoj!

Image
Intervistoi: Armend Preteni
Image