Ciara e shtyn koncertin e planifikuar në vendlindje

  • 09 March 2020 - 14:18
Ciara e shtyn koncertin e planifikuar në vendlindje

Ylli i hitit "Level Up", Ciara e cila është shtatzënë me fëmijën e tretë, ishte planifikuar të performojë në hapjen e madhe të ngjarjes "Fort Hood USO" më 19 mars, por këngëtarja është detyruar ta anulojë pjesëmarrjen për shkak të përhapjes së koronavirusit në SHBA.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Ciara ka thënë: "Për shkak të përhapjes së vazhdueshme të koronavirusit nëpër Amerikë, si grua shtatzënë, mjekët më kanë këshilluar t'i shmangem udhëtimeve dhe pjesëmarrjeve në ngjarje ku ka shumë njerëz. Jam shumë e zhgënjyer që nuk do të mund të kthehem në vendin e lindjes, Texas, për të performuar siç e kishim planifikuar. Por, ju këshilloj të gjithëve të jeni të vëmendshëm ndaj rrezikut që parashtron kjo sëmundje, dhe ta bëni të pamundurën për të qëndruar të sigurt dhe të shëndetshëm."



Sidoqoftë, këngëtarja 34-vjeçare e cila e ka një djalë 5-vjeçar me reperin Future dhe një vajzë 2-vjeçare me bashkëshortin, Russell Wilson, shpreson që të ketë mundësi ta mbajë koncertin e saj në Texas, kah fundi i këtij viti.

Ndërkohë, së fundmi u bë e ditur se edhe pop ylli kanadez, Justin Bieber, do t'i shtyjë tetë koncerte pjesë e turneut të tij të planifikuar, kjo pasi përhapja e pakontrolluar e koronavirusit ka ndikuar dukshëm në rënien e shitjes së biletave.

(Kosova Sot Online)