Katy Perry gati për albumin e pestë

  • 13 May 2020 - 07:07
Katy Perry gati për albumin e pestë

Këngëtarja e njohur amerikane, Katy Perry, përmes një transmetimi direkt në Facebook e ka konfirmuar lajmin se, albumi i saj i shumëpritur i pesti me radhë i incizuar në studio, do ta lansohet gjatë këtij viti.

Perry tha se do ta publikojë albumin i cili vjen pas atij të vitit 2017, “Witness”, kah fundi i vitit 2020, pavarësisht sfidave që i sjellë pandemia e koronavirusit.

“Definitivisht duhet të qëndrosh kreativ gjatë kësaj kohe. Ne në Kaliforni do të vazhdojmë të jetojmë me rregulla të reja, dhe nuk do t’i kthehemi jetës normale menjëherë. Prandaj, unë planifikoj ta lansoj një album këtë vit, pavarësisht a do të ketë karantinë apo jo, sepse nuk do ta lejojmë koronavirusin të na ndalojë të argëtohemi dhe vallëzojmë, ani pse do të na duhet ta bëjmë këtë nga shtëpitë tona,” ka deklaruar Perry.

Këngëtarja tutje ka treguar se disa prej këngëve të albumit të ardhshëm do të jenë të dobishme, fuqizuese, shpresëdhënëse dhe të hareshme. Perry, gjithashtu ka bërë të ditur se kënga e parë e këtij incizimi, “Daisies”, do të lansohet të premten më 15 maj dhe do të jetë një këngë e cila flet për ëndrrat dhe gjërat që njerëzit shpresojnë t’i realizojnë në jetë.

Adhuruesit kanë filluar të spekulojnë se rivalja e kamotshme e Perryt e shndërruar në mikeshë, Taylor Swift, do të përfshihet në videoklipin e këngës së re “Daisies”.

(Kosova Sot Online)