'Dear Class of 2020' i bashkon të famshmit ndërkombëtarë

  • 09 June 2020 - 07:33
 'Dear Class of 2020' i bashkon të famshmit ndërkombëtarë

Për shkak të karantinës së shkaktuar nga koronavirusi dhe protestave kundër racizmit që po zënë vend në Amerikë, studentët janë detyruar që ceremoninë e diplomimit ta shënojnë në një mënyrë jotradicionale, por të veçantë gjithashtu.

Një numër i madh i të famshmëve dhe figurave politike në vend, janë bërë bashkë për ngjarjen “Dear Class of 2020” të organizuar të dielën nga YouTube, e ku u përfshinë fjalime mbi racën, urime të shumta si dhe performanca të ndryshme muzikore.

Në mesin e yjeve që iu drejtuan studentëve më fjalimet e tyre ishin: Beyonce, Lady Gaga, Alicia Keys, Justin Timberlake, Taylor Swift, Shawn Mendes,Lizzo, ish-presidenti dhe ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack dhe Michelle Obama, dhe të tjerë.

Ndërsa, bendi Korean “BTS”, pop ylli i muzikës latine Maluma dhe yjet e muzikës R&B, Chloe dhe Halle, sollën performanca të mrekullueshme të realizuara online.

Fjalimet e këngëtareve Beyonce, Alicia Keys dhe Lady Gaga, ishin mjaft të fuqishme dhe inkurajuese, derisa Gaga iu referua tiranisë dhe racizmit në vend, si një pyll me rrënjë të thella.

“Ju jeni farat e së ardhmes. Ju jeni farat që do të rriten në një pyll të ri dhe më ndryshe, që do të jetë shumë më i bukur dhe i dashur se vendi në të cilin po jetojmë sot,” citohet të ketë thënë Gaga.

Ngjarja “Dear Class of 2020” fillimisht ishte planifikuar të mbahet të shtunën më 6 qershor, por ishte shtyrë për të mos e penguar ceremoninë përkujtimore që e festoi jetën e George Floydit, i cili u vra nga policia në Minneapolis, më 25 maj të këtij viti.


(Kosova Sot Online)