“Më merr malli”, Çiljeta Xhilaga flet mes dhimbjes për të atin e ndjerë

  • E.K /
  • 25 October 2021 - 12:09
“Më merr malli”, Çiljeta Xhilaga flet mes dhimbjes për të atin e ndjerë

Babai i Çiljeta Xhilagës humbi jetën para disa kohësh pas një beteje disa ditore me Covid-19. Ai po trajtohej në spitalin “Shefqet Ndroqi”, por fatkeqësisht nuk arriti ta fitonte luftën me virusin tinëzar.

Së fundmi, këngëtarja ka qenë e ftuar në “E diell”, ku ka folur mes dhimbjes për të atin e ndjerë.

“Unë atë e kujtoj çdo herë, sa herë që hap telefonin shoh fotot e tij dhe më merr malli. Babai ka qenë një burrë shumë fisnik dhe një shtysë shumë e madhe, që në vogëli, duke qenë edhe unë vajzë e vetme”, tha ajo.

Artistja ka treguar se gjëja që e bën më së shumti të lumtur është fakti që arriti ta bënte gjysh.

“Babai im u martua vonë, kur ishte 48 vjeç dhe nuk arriti dot ta bënte gjysh babin e tij, ndërsa unë e bëra”, tha këngëtarja e prekur.

Më herët, në një intervistë për emisionin “Jashtë loje”, Çiljeta ka rrëfyer e prekur momentet e fundit me të atin. Ajo tha se para se ta përcillnin për në banesën e fundit i dha të atit një porosi, të cilën e kishte shumë merak. Këngëtarja u shpreh se ende nuk e beson që i ati është ndarë nga jeta, sepse gjithçka ndodhi shumë shpejt.

“Ndonjëherë nuk e besoj, sepse më duket sikur është akoma në shtëpi dhe do e marr në celular. Kam pasur një baba shumë fisnik. Kur ishte për t’u diskutuar më kollaj merresha vesh me babin se me mamin, ai thoshte gjithmonë 2 fjalë dhe të sakta. Nuk më ka lënë asgjë mangët, më çonte kudo. Gjithmonë thosha me regjimin që mbante do shkonte 100 vjeç.

Besimi në Zot më ka bërë shumë të fortë tek pjesa e vdekjeve, sepse më parë e kisha fobi të shkoja në varreza apo të shohë njerëz të vdekur. Nuk kam për ta harruar kurrë në jetën time, ditën që përcollëm babin për në banesën e fundit i thashë atij djalit kur e hapi arkivolin të lutem t’i lë një porosi babit. I lashë një porosi që e kisha shumë merak. I thashë babi mos harro kur të dalësh përpara Allahut mos harro 5 gjërat kryesore: Feja jote është Islami, Profeti yt është Muhamedi, Libri yt është Kurani dhe Feja jote është Islami”, rrëfeu Çiljeta.

(Kosova Sot Online)