Madonna del me thirrje për fansat e saj

  • A.P /
  • 09 June 2026 - 08:05
Madonna del me thirrje për fansat e saj

Madonna, ka kritikuar ashpër përdorimin e telefonave celularë gjatë koncerteve, duke u bërë thirrje fansave të lënë mënjanë ekranet dhe të përjetojnë muzikën në mënyrë më autentike, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gjatë premierës së filmit të saj të ri, “Confessions II, The Film”, e mbajtur më 5 qershor në Beacon Theatre, ikona e muzikës pop foli për ndikimin që teknologjia ka pasur në eksperiencën e koncerteve live.

 

“Kam ardhur në këtë botë për të vepruar, jo për të parë të tjerët të veprojnë”, u shpreh artistja, duke theksuar se njerëzit janë gjithnjë e më të përqendruar në regjistrimin e çdo momenti, në vend që ta jetojnë atë.

Si shembull, ajo përmendi pjesëmarrjen e saj në festivalin Coachella, ku performoi së bashku me Sabrina Carpenter. Sipas saj, ishte tronditëse të shihte përballë jo fytyrat e publikut, por qindra ekrane telefonash të ngritur në ajër.

Këngëtarja e cilësoi vallëzimin si një përvojë të thellë njerëzore që lidh individët me njëri-tjetrin dhe me energjinë e momentit, duke shtuar se kjo ndjesi humbet kur vëmendja përqendrohet te regjistrimi i videos.

“Ulni telefonat dhe lidhuni me njëri-tjetrin”, ishte mesazhi i drejtpërdrejtë që Madonna u përcolli fansave.

Ndërkohë, filmi i saj i ri “Confessions II – The Film” pritet të publikohet sot më 8 qershor në platformën YouTube, ndërsa albumi i ri, “Confessions II”, do të dalë në treg më 3 korrik.

Image

(Kosova Sot Online)