UEFA merr vendim të ri

  • A.P /
  • 03 May 2024 - 19:00
UEFA merr vendim të ri

Komiteti ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur sot të zgjerojë listat e ekipeve nga 23 në 26 lojtarë përpara nisjes së Kampionatit Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet në verë.

Ky është një vendim që e vë UEFA-n në përputhje me rekomandimet e sugjeruara nga Komiteti i Garave, transmeton Gazeta Express.

Kësisoj, kombëtaret që do të marrin pjesë në “Euro 2024” në Gjermani do të lejohen të marrin me vete 23 deri në 26 lojtarë.

Ky vendim nënkupton gjithashtu se të gjithë lojtarët do të lejohen të paraqiten në fletën e skuadrës para ndeshjes.

Ky është një ndryshim nga Kampionati Evropian i fundit, kur ekipet kishin 26 lojtarë – por, tre prej tyre nuk mund të figuronin në listë të ndeshjes dhe duhej të shikonin ndeshjen nga tribunat.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse të gjithë trajnerët e Kombëtareve pjesëmarrëse në “Euro 2024” do të zgjedhin numrin maksimal të lojtarëve këtë herë.

Listat përfundimtare të ekipeve për “Euro 2024” duhet t’i dorëzohen organit drejtues të futbollit evropian deri më 7 qershor, shtatë ditë para fillimit të turneut.


(Kosova Sot Online)