Presidenti i La Ligas tregon se përse u hoq teknologjia e vijës së portës

  • A.P /
  • 24 April 2024 - 16:06
Presidenti i La Ligas tregon se përse u hoq teknologjia e vijës së portës

Presidenti i La Ligas, Javier Tebas ka folur për herë të parë për teknologjinë e vijës së portës, e cila ishte hequr qe një kohë dhe që u bë temë globale për shkak të mohimit të golit të Barcelonës ndaj Real Madridit në “El Clasico”.

Barça shënoi me Lamine Yamal, në atë që dukej se topi e kishte kaluar komplet linjën e portës, por që gjyqtarët dhe zyrtarët e VAR-it u hamendën, duke mos pasur pamje të qartë, dhe goli nuk iu pranua ekipit të Xavi Hernandezit.

“Së pari, nuk është një teknologji perfekte, por nuk është veç kjo. Gjatë një sezoni, golat fantazma verifikohen tre apo katër herë, jo më shumë. Dhe, mendoj se nuk ia vlen të investosh 5-6 milionë euro për dy divizionet e para të futbollit tonë për një ngjarje që ndodh aq rrallë. Do të preferoja që t’i merrja dhe t’i shpenzoja këto para për ta rritur numrin e telekamerave dhe për t’i ndihmuar kështu referët”, deklaroi Tebas në një intervistë për “Expansion”, përcjell “Gazeta Express”.

Ndërkohë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që disa ndeshje të La Ligas nga sezoni 2025/26 të zhvillohen në një shtet apo kontinent tjetër, ndërsa gjasat më të mëdha janë që këto ndeshje të luhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nuk e di kur, por këtë radhë La Liga do të luajë ndeshje zyrtare edhe jashtë vendit. Mendoj se mund të nisim nga sezoni 2025/26”, vazhdoi numri 1 i futbollit spanjoll.

“Të luajmë ndeshje zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta përforcojë pozicionin tonë në tregun amerikano-verior, që është i dyti për La Ligan, pas tregut spanjoll. Jemi duke garuar hap pas hapi me kampionatet tjera të forta, kështu që duhet ta bëjmë këtë hap që disa ndeshje të kampionatit t’i luajmë jashtë vendit, për t’i kaluar ato”, përfundoi kreu i futbollit spanjoll.

Spanja e ka provuar që ta zhvendosë Superkupën e saj në Arabinë Saudite, ndërsa do të jetë mjaft interesant të shihen edhe ndeshjet e La Ligas të luhen në një kontinent tjetër.

Natyrisht, do të ketë edhe palë të pakënaqura, sidomos tek klubet, duke e pasur parasysh lodhjen e ekipit shkaku i lëvizjeve dhe udhëtimeve. 

(Kosova Sot Online)