Ky vend paralajmëron mbylljen e disa mediave sociale

  • A.P /
  • 08 September 2025 - 08:28
Ky vend paralajmëron mbylljen e disa mediave sociale

Qeveria e Nepalit ka vendosur të ndërpresë qasjen në platformat kryesore të mediave sociale, përfshirë Facebook dhe X, pasi këto kompani nuk i përmbushën kërkesat e regjistrimit të autoriteteve vendase.

Sipas zëdhënësit të ministrisë, Gajendra Kumar Thakur, “Platformat e paregjistruara të mediave sociale do të çaktivizohen nga sot e tutje”. Ndërkaq, ministri i Komunikimit dhe IT-së, Prithvi Subba Gurung, shtoi se qeveria u dha kompanive kohë të mjaftueshme për t’u regjistruar, por ato e injoruan kërkesën, ndaj u detyrua të mbyllë operacionet e tyre në Nepal.

 

Kompanitë e prekura përfshijnë Meta (Facebook, Instagram, WhatsApp), Alphabet (YouTube), X, Reddit dhe LinkedIn. Afati për regjistrim ishte i vendosur nga Ministria e Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe përfshinte krijimin e një kontakti lokal, një përpunues ankesash dhe një person përgjegjës për vetërregullimin.

Kjo masë është pjesë e përpjekjes së qeverisë për të frenuar përhapjen e urrejtjes online, thashethemeve dhe krimit kibernetik. Deri tani, vetëm pesë platforma, përfshirë TikTok dhe Viber, janë regjistruar zyrtarisht, ndërsa dy të tjera janë në proces.


(Kosova Sot Online)