Karl Marksi, falsifikator i historisë së shqiptarëve
Nga Eshref Ymeri
Në Shqipërinë komuniste, filozofi, sociologu, shkrimtari, politikani dhe veprimtari shoqëror, Karl Marksi, vlerësohej gati si hyjni, si shenjtor. Vepra të tij qenë përkthyer në gjuhën shqipe gjatë një periudhe dhjetravjeçare. Prandaj dikur, në periudhën e sundimit komunist në vendin tonë, në Shtëpinë botuese “8 Nëntori”, pati funksionuar një redaksi e posaçme - redaksia e klasikëve të marksizëm-leninizmit, në të cilën patën punuar përkthyes mjaft të talentuar. Portreti i Marksit, në varganin e portreteve të klasikëve të komunizmit, ka pasë qenë i pari që ekspozohej mbi taracat e ndërtesave të institucioneve shtetërore në qendër të Tiranës dhe të qyteteve të tjera në mbarë vendin tonë. Në tekstet shkollore dhe universitare të historisë, figura e Marksit trajtohej me një kujdes të jashtëzakonshëm. Por nëse në vendet komuniste të Europës Lindore, Marksi vlerësohej si themeluesi i teorisë marksiste, në Shqipërinë komuniste, me një diktator të formatit skizofrenik në krye, si Enver Hoxha, Marksi qe shndërruar në idhull. Por, çuditërisht, ky Marksi, i adhuruar aq shumë nga Enver Hoxha dhe banda rreth tij, sipas njërës prej faqeve të internetit, ka pasë mbajtur një qëndrim tejet përçmues ndaj shqiptarëve. Ja çfarë shkruhet në atë faqe interneti:
“Figura e Karl Marksit, ideologut kryesor të komunizmit, në Shqipërinë komuniste trajtohej në suaza profetike. Portreti i tij shpalosej kudo, në tubime, pleniume, kongrese, koncerte dhe deri në institucionet arsimore dhe ato kulturore. Doktrina e Karl Marksit ishte instrumenti kryesor i propagandës komuniste për 45 vjet diktaturë. Mirëpo, ideologu i diktaturës së proletariatit rezulton të ketë pasur mendime aspak pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjuha e tij denigruese ndaj shqiptarëve duket si vijimësi e elaborateve serbe, të mbushura me përçmim dhe gjuhë tejet fyese. Opinionet e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, Karl Marksi i ka pasë shprehur gjatë kohës kur pati punuar si korrespondent i gazetës amerikane “New York Daily Tribune” për Europën. Ja çfarë pati shkruar ai:
“Arnautët (u referohet shqiptarëve) janë pjesërisht të krishterë të ritit ortodoks grek dhe pjesërisht myslimanë. Duke gjykuar për aq pak sa i njohim, janë shumë pak të prirur për t’u qytetëruar. Prirjet e tyre grabitqare duhet të detyrojnë çdo qeveri fqinje t`i mbajë ata nën një trysni të rreptë ushtarake, përderisa përparimi industrial në vendet fqinje të mos u sigurojë punë atyre si druprerës e ujëbartës”, - shkruante Marksi në një artikull të datës 7 prill të vitit 1853.
Krahas terminologjisë fyese, Marksi, në artikujt e tij, kujdeset të ofrojë edhe dominancën e sllavëve në rajon, duke theksuar se të vetmit rivalë të sllavëve ishin shqiptarët, të cilët, ashtu si turqit, mbeten armiq të çdo përparimi.
“Nuk mund të mohohet fakti se gadishulli, i quajtur zakonisht Turqia Europiane, është pasuri natyrore, e trashëguar nga stërgjyshërit e racës së sllavëve të jugut. Ata e zotërojnë atë tokë prej 12 shekujsh. Pa marrë parasysh atë pak popullsi që rrjedh nga rrënjë sllave, por që kanë përvetësuar gjuhën greke, rivalë të sllavëve janë vetëm arnautët barbarë ose turqë, të cilët prej kohësh janë dënuar si kundërshtarët më të egër të çdo përparimi. Përkundrazi, sllavët e jugut janë të vetmit bartës të qytetërimit në pjesët e brendshme të vendit”, - shkruan Marksi në një tjetër artikull të datës 23 prill të vitit 1853.
Këto përshtypje të Marksit, krahas termave denigrues për shqiptarët dhe turqit, shpalosin dhe tendencën për manipulim të historisë, duke i trajtuar grekët e lashtë si sllavë të asimiluar.
Linçimi që Marksi u bën shqiptarëve në këtë periudhë, duket sikur ka për referencë Naçertanien e Ilia Garashaninit, ideologut serb, i cili në 1844-ën hartonte të parin prej disa elaborateve serbe për shfarosjen e shqiptarëve.
Pra, Karl Marksi, të cilin shqiptarët e nderuan për gjysmë shekulli si profet të marksisëm-leninizmit, rezulton të jetë një ndër përçmuesit më të zellshëm ndaj atdheut të tyre.
Diktatura komuniste u përpoq të gjente referate apo editoriale të Marksit lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, por konstatimi i përshtypjeve të tij për shqiptarët i shtyu autoritetet komuniste ta mbyllnin sa më shpejt atë histori, ndërkohë që Marksi u trumbetua dhe u glorifikua vetëm në suaza ideologjike” (Citohet sipas: “Kur Marksi shkruante për shqiptarët: Janë barbarë dhe grabitqarë të paqytetëruar”. Faqja e internetit “kumti.net”. 22 mars 2023).
Kësisoj, Marksi, nën ndikimin e platformës shoviniste serbe “Naçertanie” të kryeministrit serb Ilia Garashanin (1812-1874), falsifikonte historinë, duke i deklaruar sllavët popull “rrënjës” në Gadishullin e Ilirisë, të cilin e quan Turqi Europiane. Dhe më e çuditshmja është se egërsirat sllave i quan edhe “bartës të qytetërimit”. Vajmedet për Marksin e shkretë, që paska qenë zëdhënës i ofiçinës shpifografike serbosllave për sllavët “e qytetëruar” dhe shqiptarët “barbarë”. Sipas Marksit, rezultonte se, në shek. VII, kur tributë gjysmë të egra sllave patën shtegtuar që nga stepat e Rusisë dhe Karpatet dhe, duke kaluar Danubin, qenë dyndur drejt Gadishullit të Ilirisë, këtu “s’paska ekzistuar” ndonjë popull rrënjës! Si mund të ishin sllavët popull “rrënjës” në Gadishullin e Ilirisë, kur dihet shumë mirë, që, deri në shek. IX sllavët nuk kishin alfabet të sllavishtes. Ishin dy vëllezërit misionarë të kishës ortodokse dhe të kishës katolike - Kirili (827-869) dhe Methodi (815-885), të cilët, në vitin 860, krijuan alfabetin e sllavishtes së vjetër. Pikërisht këtyre dy misionarëve të krishterë, sllavisti hungarez, Imre Toth, u pati kushtuar një libër, ku, në faqen 60, thekson se Kirili dhe Metodi u mbështetën në disa burime për krijimin e alfabetit të sllavishtes së vjetër. Midis burimeve që rendit ai, burimi i tretë ishte старо албанско письмо (shkrimi i vjetër shqip). Titullin e këtij libri, të botuar në gjuhën bullgare në vitin 1960, e pata gjetur në njërin nga skedarët e bibliotekës së Institutit të gjuhësisë dhe të letërsisë në Tiranë. Ka qenë mesi i viteve 1980, pra, 40 vjet më parë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
