Të paktën, Pacolli të japë dorëheqjen

  • 21 November 2018 - 17:24
Të paktën, Pacolli të japë dorëheqjen

Argumenti kryesor që përdorte së fundmi Serbia në fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL ndërlidhej me rishikimin e kufijve, një nismë e ndërmarrë nga vetë presidenti Hashim Thaçi në dialogun me homologun serb Aleksandër Vuçiq. Edhe pse kreu i Republikës e pranon të ketë ndikuar në këtë dështim, e vërteta është ndryshe. Aventura e tij personale, që u kurorëzua me shtrëngimin e duarve me Putinin, nuk mund të kishte një fund tjetër. Që nga formimi i kësaj qeverie, disa shtete e kanë tërhequr njohjen, ndërsa plot prej mbështetësve të pavarësisë janë të zhgënjyer me kursin politik kosovar. Nxitimi i ekzekutivit për të bërë rrush e kumbulla në Dubai mbi 1 milion euro natyrisht që nuk mund të jepte rezultat. Të lobosh nuk do të thotë të blesh vota, siç mund ta ketë kuptuar një ministër sharlatan i Punëve të Jashtme, si ky i Kosovës. Kreu i MPJ-së, sigurisht, është kryedështaku, sepse ka qenë detyrë prioritare e diplomacisë anëtarësimi në INTERPOL. Në rrethana normale është dashur të japë dorëheqje, por kjo fjalë nuk është në fjalorin e këtyre politikanëve mburravecë dhe injorantë. Çfarë bën vallë kjo armatë ambasadorësh, konsujsh e diplomatësh të shpërndarë anembanë botës, që u kushton qindra miliona dollarë taksapaguesve të varfër të Kosovës? Një debakël i pritur në fakt, sepse befasia mund të ishte anëtarësimi në këtë organizatë. Por, si mund të presim që edhe policia jonë të jetë anëtare e INTERPOLit kur dihet se çfarë ndodh në radhët e saj… Le t'i kujtojmë disa nga skandalet, vjedhjet në dhomat e dëshmive, grabitja e arit, drogës…dirigjimin politik…aferën e djalit të shefit të AKI-së, që iu zu drogë dhe armë në veturë. Për të shkuar më tej, vetëm brenda një viti, Kosova është tallur me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në krye të së cilës kanë ardhur tre individë, secili më qesharak se tjetri! Prandaj, dështoi Kosova dhe shtete si Kiribati dhe Vanuatu anëtarësohen. Turp për këtë qeveri të dështuar!

 

(Kosova Sot)