Vetëm në Kosovë nuk ka nevojë të protestohet

  • 28 February 2019 - 16:52
Vetëm në Kosovë nuk ka nevojë të protestohet

Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash masive të opozitës që ka bojkotuar edhe Kuvendin, ndërsa regjimi i Ramës ka filluar të ushtrojë dhunë ndaj qytetarëve të pakënaqur me qeverisjen e tij arrogante, kriminale dhe mafioze. Edhe në Serbi, sundimi i Vuçiqit po rrezikohet nga protestat e shumta kundër tij. Vetëm në Kosovë duket se gjërat janë më së miri dhe nuk ka nevojë të protestojë askush. Përjashto rastet kur synohet rritja artificiale e pagave, edhe pse dihet se me këtë buxhet nuk mund të ketë çdo vit rritje rrogash 30 për qind. Por, cili mund të jetë interesi i Kosovës, nëse Rama bie nga pushteti e të njëjtin fat e ka edhe Vuçiqi? Këta dy liderë, bashkë me Hashim Thaçin dhe shërbëtorët që i ndjekin nga pas, janë arkitektë të ndarjes së Kosovës, një plan monstruoz që do ta përziente edhe një herë tërë rajonin. Duke e parë se si ata janë në gjendje ta manipulojnë pushtetet respektive, protestat duken e vetmja formë për ta ndalur skenarin ogurzi të lëvizjes së kufijve. Në Kosovë, kryeministri e ka marrë stafetën e kundërshtimit të ndarjes, porse sa është për t'i zënë besë atij që gjithnjë në fund pranon ofertat e Thaçit, kjo vështirë të thuhet. Gjithsesi mund të parashikohet se sa do të zgjaste rezistenca. Ngjashëm me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Tre vjet protesta dhe në fund kaloi marrëveshja e njëjtë që ia shkëput Kosovës mbi tetë mijë hektarë. Qytetarët kosovarë nuk do të duhej të rrinin duarkryq, ndërsa opozita në vend të gatishmërisë për Qeveri gjithëpërfshirëse duhet të shfaqë rezistencë tjetër. T'i nxjerrë njerëzit në rrugë. Le ta shohin edhe autorët e pazareve territorial se sa është pulsi kosovar në raport me ndarjen. Kosova nuk ka çka të japë më, sepse ka dhënë boll, prandaj duhet t'i tregojmë botës se jemi kundër dhënies të qoftë edhe një milimetri të tokës sonë.

 

 

(Kosova Sot)