Në çfarë derexheje keni rënë...

  • 02 March 2019 - 16:58
Në çfarë derexheje keni rënë...

Polemikat në distancë mes presidentit dhe kryeministrit të Kosovës janë dëshmia më e mirë se në çfarë derexheje ka rënë politika kosovare. Hashim Thaçi ka zgjedhur një samit në Tiranë, të dedikuar për diasporën, të përbetohet se nuk e synon shkëmbimin e territoreve me Serbinë dhe është kundër ndarjes së Kosovës. Por, është pikërisht ai vetë që po i mëshon kaq fort idesë së lëvizjes së kufijve të shtetit tonë dhe këtë e ka thënë hapur, shpesh, sidomos kohëve të fundit. Edhe fjalimi i tij i djeshëm, duket si një lloj shfajësimi përballë shqiptarëve, të cilët me shumë shqetësim po e përcjellin diskursin e tij antikombëtar. Bashkë me Edi Ramën, ata janë përgjegjës të rrezikimit serioz të tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. Dalja jashtë kontrolli i kryeministrit Haradinaj në rastin e taksës, po i përkeqëson edhe marrëdhëniet mes liderëve, por edhe raportet me SHBA-në. Sidoqoftë, kjo përplasje po i ndihmon publikut të kuptojë më qartë prapaskenat e dialogut që zhvillohet në kurriz të interesave shtetërore e kombëtare. Kryeministri nuk duhet të priste momentin kur e ka më pisk punën, që të tregojë të vërtetën për Thaçin, sepse i bie që e ka ditur dhe ka heshtur. Ky ballafaqim "titanësh" kosovarë, na bind edhe një herë, se interesat personale dominojnë ende agjendat shtetërore dhe kjo është dëshpëruese. Presidentit i djeg Specialja, e kryeministrit i dhimbset karrigia e pushtetit. Prandaj, është gjithë kjo anarki institucionale dhe joseriozitet në përfaqësimin shtetëror. Asgjë nuk është e sigurt në fakt me këtë lidership, që ka treguar se është në gjendje gjithnjë të bëjë kompromise të dëmshme, duke shkelur mbi vullnetin e qytetarëve. Përbetimet e presidentit janë edhe një tallje e radhës e asgjë më shumë, sepse e di secili tashmë se plani i tij e synon hapur ndarjen e Kosovës. Si i tillë duhet ndalur me çdo kusht!

 

(Kosova Sot)