Taksa, alibia e përkohshme e një Qeverie të kapitulluar

  • 16 March 2019 - 17:32
Taksa, alibia e përkohshme e një Qeverie të kapitulluar

Për sa kohë mbetet në fuqi, taksa ndaj Serbisë do t'i shërbejë pushtetit si propagandë e fuqishme. Në sytë e njerëzve të thjeshtë, rezistenca për ta mbajtur tarifën ndaj fqinjit destruktiv konsiderohet një akt i thellë patriotizmi. Por, kjo është njëra anë e medaljes. Tregu, në fakt, është i stërmbushur me mallra serbe, një pjesë e të cilave hyjnë përmes kontrabandës nga veriu jashtë kontrolli. Taksa është e vonuar dhe e merituar për Serbinë, megjithatë mobilizimi i një Qeverie nuk mund të reduktohet te një çështje, e cila ka përplasur autoritetet në Prishtinë me SHBA-në dhe BE-në, partnerët jetikë për shtetësinë e Kosovës. Përtej mbulesës së taksës, pamja është tronditëse. Degradim gjithandej. Pushtetarët, nën ethet e rënies së Qeverisë, ngarendin të punësojnë familjarët në kompani publike ani pse janë buzë falimentimit. Shansi nuk vjen dy herë! Milionat fluturojnë sa andej, këndej, në bazë të interesave klienteliste, partiake, korruptive. Kuvendi, nga ana tjetër, ka pësuar një debakël të paparë. Në vend që ta godasë nga koka, sistemin e qelbur e përkëdhel nga bishti. Në vend që të kërkojë llogari për dhjetëra e qindra milionë që firojnë në projekte të dyshimta, opozitarët shpenzojnë séance të kota për disa dhjetëra- mijëra euro. Këta thonë "ja gjurmët", ndërsa "ujkun" e kanë përballë. Taksa ia ka dalë të mbulojë përkohësisht një zvetënim shtetëror dhe korrupsion sistematik, prandaj edhe kryeministri këmbëngul që ta mbajë. Sa më gjatë reziston, aq më shumë punohet nën rrogoz, për zhvatje të reja. Kjo Qeveri e papërgjegjshme, e mbipopulluar dhe e paaftë, ka sjellë regres në vend. Bizneset po falimentojnë, fuqia e kualifikuar punëtore po ikën nga Kosova. Shpresa e vetme për punësim ka mbetur ta kesh kushëri ndonjë deputet a ministër të partive në pushtet. Përndryshe, mbetesh rrugëve. Nepotizmi po e shkatërron sektorin publik. Analfabetizmi është bërë i zakonshëm. Injoranca i ka mbërthyer pozitat kyçe shtetërore. Taksa nuk i mbulon përjetësisht. Sapo të hiqet, kriza do të shpërthejë. Më fuqishëm se kurrë më parë!

 

(Kosova Sot)