Lumturi si në Kosovë...

  • Kosova Sot /
  • 21 March 2019 - 16:41
Lumturi si në Kosovë...

Dhe, çuditërisht, njëfarë raporti, i prodhuar nga OKB-ja, e ka nxjerrë Kosovën vendin më të lumtur në rajon! Lajm më befasues, sidomos këto ditë, nuk kemi mundur të presim. Kushedi si e kanë pritur këtë sihariq njerëzit që dje pritnin në radhë të gjata në dyert e ambasadave, për një vizë shëngen. Mund ta imagjinojmë se si kanë reaguar qindra e mijëra të tjerë, që më kot presin të punësohen, ndërsa përditë dëgjojnë lajme se si filan politikani i ka punësuar familjarët e miqtë.

Për një vend të izoluar si Kosova, ku regjimi është egërsuar dhe hendeku social kurrë nuk ka qenë më i thellë, lumturia është fjalë e huaj për shumicën. A thua janë të lumtur mijëra familje që ia kanë mësyrë vetëm dy-tri vitet e fundit emigracionit, në kërkim të një jete më të mirë?!

E kush dëshiron ta shijojë këtë farë "lumturie"nën sundimin e oligarkëve, që komandojnë gjithçka dhe bëjnë çfarë të duan me fatin e dy milionë kosovarëve. Ky është kulmi i degradimit në vendin tonë dhe ai që nuk e pranon të vërtetën me siguri ka nevojë për të shkuar në vizitë te psikiatri. Shteti formalisht është, por kontrollohet nga grupet e mafio-politikanëve, të cilët hapur vjedhin, zhvatin, abuzojnë, shpërdorojnë e përdhunojnë të mitura dhe nuk ndëshkohen.

Një vend drejtësia ia ka lënë hapësirën kanunit dhe padrejtësive, nuk prodhon lumturi, por krim dhe vuajtje. Kosova gjendet sot në një udhëkryq të madh, ku duhet të vendosë nëse përfundimisht do të zhytet në kaosin e politikës së ligë apo do të arrijë të ngrihet kundër kësaj së keqeje të rëndë që na ka pllakosur. Veç për lumturi nuk bëhet fjalë këtu.

Ka gjasa që anketuesit e atij rrjetit të OKB-së të kenë intervistuar pushtetarë, familjarë e miq të tyre. Në një rast të tillë do të duhej që t'ia kalonim edhe Finlandës, që rezulton të jetë më e lumtura në botë! Çfarë talljeje për popullin tonë të shtypur nga bandat e pushtetit! 

(Kosova Sot)