Bixhozi kryesor bëhet në politikën kosovare

  • 24 March 2019 - 15:46
Bixhozi kryesor bëhet në politikën kosovare

Kuvendi arriti ta miratojë një rezolutë për ndalimin e përkohshëm të lojërave të fatit, pa e bindur askënd se pse duhet të jetë një periudhë 10-vjeçare e jo përgjithmonë. Seanca e djeshme nxori në pah disa gjëra skandaloze rreth kazinove në Kosovë, ku së fundmi, dy persona e kanë humbur jetën, duke nxitur edhe këtë debat të jashtëzakonshëm parlamentar e më gjerë.

Vetë ministri i Financave tha se lojërat e fatit veprojnë pa kurrfarë licence nga shteti. Nëse qenka kështu, atëherë përse Qeveria e ka lejuar një paligjshmëri të tillë kaq të madhe anembanë vendit?!Përgjigjen nuk e japin pushtetarët, sepse dihet se janë vetë "të fortët" e politikës,që kanë qëndruar gjithnjë në prapaskenë edhe te ky biznes i pistë, ku pastrohen milionat dhe përfitimet e tyre i marrin edhe qeveritarët. Rezoluta e Kuvendit është e mangët me propozimin për pezullim të përkohshëm dhjetëvjeçar. Kosova nuk duhet të lejojë fare lojëra fati, sepse ato i sjellin veç humbje shoqërisë sonë.

Dikush mund të thotë se ka të punësuar edhe ky sektor dhe doganat vjelin ca të hyra, megjithatë pasojat negative janë dukshëm më të rënda sesa efektet e tjera. Shteti ka lejuar për dy dekada, që bastoret, kazinotë, të hapen edhe në zonat më të populluara, edhe pranë shkollave, pavarësisht se ligji e ndalon. Gjithsesi, vlen për t'u përshëndetur ky hap, edhe pse ka një bixhoz më të rëndë,sesa këto lojëra të fatit, që duhet të ndalet. Ky është bixhozi i politikës, që sa herë i hedh zaret, luan jo me fatin e saj, por me të dy milionë kosovarëve që e durojnë këtë regjim autokratik dhe anarkik.

Pa e hequr qafe pokerin e pushtetit, ky vend nuk do të shohë ditë të mira, prandaj sa më shpejt që qytetarët ndërgjegjësohen për kauzën e pashmangshme, aq më mirë për Republikën.

(Kosova Sot)