Bombat e Shpresës

  • 25 March 2019 - 15:52
Bombat e Shpresës

Ka një histori para ngritjes së avionëve të NATO-s, që duhet ta lexojmë e rilexojmë, t'i kthehemi e stërkthehemi, për të mos harruar kurrë se pse Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë sulmoi Serbinë e Milosheviqit në vitin 1999. Kur hyn e sheh rrjetet sociale më 24 mars, të gjithë e kanë vërshuar me falënderime e mirënjohje të veçantë. Përfshirë politikanët. Pikërisht këta, që pas dy dekadash e kanë vënë në pikëpyetje marrëdhënien e fuqishme mes Kosovës dhe SHBA-së, me veprimet e tyre të papërgjegjshme.

Pushtetarëve kosovarë duhet t'ua përkujtojmë se NATO goditi caqet serbe për të ndalur dhunën dhe terrorin ndaj popullsisë shqiptare, për t'i dhënë fund shtypjes dhe diskriminimit, padrejtësive dhe censurës. Sot, nuk duhet ta fshehim se janë këta pushtetarë, fatkeqësisht plot prej tyre që dje vishnin uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët shtypin dhe diskriminojnë, abuzojnë me ligjin dhe censurojnë mediet. Ata e kanë harruar se pse ndodhi 24 marsi, sepse pushteti i ka verbuar, lakmia i ka bërë të papërgjegjshëm, interesi personal i ka dehumanizuar mbi të gjitha. Është e dhimbshme që njëzet vjet pas bombardimeve të NATO-s, njerëzit nuk duan të jetojnë më në Kosovë, edhe pse Serbia nuk na sundon. Në ato ditë të rënda, kur jeta ishte në fije të perit, askush nuk dëshironte ta lëshonte pragun e vet.

E kush e kishte menduar, se një kastë oligarkësh shqiptarë do t'i detyronin popullin, ta braktisnin Republikën e tyre?! Kosova i është përjetësisht mirënjohëse NATO-s, SHBA-së dhe aleatëve evropianë, që pas disa hezitimeve, mbështetën ndërhyrjen ushtarake për të parandaluar një tragjedi të përmasave të jashtëzakonshme. Njerëzit e këtij vendi, që u dëbuan masivisht nga forcat serbe, i dëshmuan botës se duan të jetojnë e ta bëjnë shtetin e tyre, duke u kthyer në shtëpi. Por, shtetin formalisht e bëmë, sepse praktikisht është një lloj pashallëku i një grushti politikanësh të korruptuar që vazhdojnë të na sundojnë. Duke kujtuar sot bombat e shpresës, le të shpresojmë se kjo bandë do të përgjigjet para drejtësisë e do t'ia çlirojë frymën këtij populli.

(Kosova Sot)