Drejtojeni gishtin nga diktatori!

  • 27 March 2019 - 15:51
Drejtojeni gishtin nga diktatori!

Të gjithë ankohen sot. Edhe ata që janë pjesë e pushtetit. Këta të fundit ankohen, se nuk po përfitojnë sa kanë dëshirë. Shumica ndërkaq janë duke vuajtur pasojat e regjimit sundues. Në pushtet apo në opozitë, i madh e i vogël, e kanë një të përbashkët-pranimin e realitetit të hidhur. E vërteta nuk mund të fshihet më, sepse akumulimi i pakënaqësive, skandaleve, hajnive, imoraliteteve, abuzimeve të pafund, ka mbërritur maksimumin. Tash, dalëngadalë po vjen momenti i shpërthimit. Megjithatë, ka një problem në rrafshin politik, kur adresohet përgjegjësia. Nëse një lider rrah gjoks se ai është më i votuari, më i pushtetshmi, kur ftohet në studiot e mercenarëve të oborrit, atëherë lehtësisht mund t'ia bëjmë pyetjen e radhës: Po si ndodhi që ramë kaq poshtë si shtet e u varfëruam kaq shumë si popull?!

Hashim Thaçi nuk e ndien varfërinë. As padrejtësinë. As mbijetesën. Së fundmi, ai po jeton në një vilë që, kuptohet, me paratë e rrogës nuk e ka bërë. Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Presidenti i kamur i Republikës nuk e ka problem për milionat që i ka bërë me korrupsion, por shqetësohet se si do të mbajë nën kontroll drejtësinë dhe policinë, Kuvendin e Qeverinë.

Nëse i bie rrjeti, shkatërrohet klani 'Pronto', i vjen fundi edhe atij. Prandaj, bën gjithçka që të blejë njerëz e parti, për ta shtyrë së pari planin djallëzor për ndarjen e Kosovës, një pazar i dekonspiruar nga vetë ai. Është e qartë si drita e diellit se Gjykata Speciale i rri mbi kokë këtij individi të rrezikshëm për stabilitetin e Kosovës. Çfarë shtyse tjetër mund të ketë një president në një rast të tillë?! Politika e kompromentuar është terreni i përshtatshëm për veprimtarinë e presidentit, sepse nëse do të kishim pak vetëdije politike kombëtare, Presidenca nuk do të mbetej në duart e një personi, që po e minon Republikën nga themeli i saj. 

(Kosova Sot)