Injorimi i krimeve dhe dëmeve të luftës

  • 28 March 2019 - 15:46
Injorimi i krimeve dhe dëmeve të luftës

Kosova po përkujton viktimat e regjimit të Milosheviqit, ndërsa drejtësia ka dështuar që të shpaguajë familjarët e tyre. Për asnjë masakër nuk ka të ndëshkuar nga ligji. Për çfarë dialogu mund të flasim?! Bashkimi Evropian i bën presion Kosovës të dialogojë, por asnjëherë nuk e thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për krimet dhe dëmet e luftës, që nuk janë kompensuar nga autoritetet serbe. Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë, bëri krime monstruoze, por kriminelët dhe urdhërdhënësit nuk u ballafaquan thuajse asnjëherë me forcën e ligjit. Përgjegjësisë për kërkimin e së drejtës nuk mund t'i bëjnë bisht liderët kosovarë. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë shpenzuar miliona poshtë e lart, në Bruksel e qendra të tjera, në emër të "gjoja" dialogimit me Serbinë, por as që janë munduar qoftë edhe një herë të vetme, ta shtrojnë në tryezën e dialogut çështjen e krimeve të luftës dhe dëmeve miliardëshe.

Kjo është e pafalshme, sepse ja ku jemi sot, në një pikë, ku shqetësimi kryesor është ruajtja e territorit se sa për dëmet, askush nuk merret me atë temë. Këto janë pasojat e rënda të udhëheqjes së këtij procesi dialogimi nga një individ tepër i rrezikshëm për stabilitetin e vendit. Presidenti mban përgjegjësinë kryesore, për injorimin e krimeve të luftës. Asnjëherë ai nuk qe në gjendje, edhe pse shpesh e takoi, sidomos dy vjetët e fundit, homologun serb, Aleksandër Vuçiq, të kërkojë me vendosmëri kompensim për dëmet dhe drejtësi për viktimat. Kosova nuk shfrytëzoi kurrë as mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë, përmes të cilave ka mundur të vihet në vend drejtësia për mijëra e mijëra familje. Me këtë klasë politike, qytetarët janë të zhgënjyer, sepse nuk mund të presin rezultate të ndryshme nga pushtetarët e njëjtë që po na sundojnë tashmë dy dekada. Është momenti i fundit, për t'u shkëputur nga ky mentalitet qeverisës negativ dhe kriminal, për ta vënë në vendin e duhur dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve të Kosovës nga vetë qeveritë e paafta tonat. 

(Kosova Sot)