Populli të ngrihet kundër oligarkëve të pushtetit dhe biznesit

  • Kosova Sot /
  • 29 March 2019 - 16:34
Populli të ngrihet kundër oligarkëve të pushtetit dhe biznesit

Në një emision televiziv, njëri ndër militantët e pushtetit dhe mercenar tipik i gazetarisë, nuk ngurronte të mbronte oligarkët, sikur të mos e kishte idenë se kush janë në fakt ata. Terminologjia është fare e thjeshtë për "oligarkët" dhe "oligarkinë", ndërsa rrjedh nga përvoja ruse, ku një grup biznesesh të afërta me pushtetin kontrollojnë gjithçka.

Oligarkët janë kupola e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që mbështeten nga politika dhe e ushqejnë rregullisht atë. Në këmbim ata zotërojnë tregun, mbajnë monopole, marrin leje e licenca, tenderë shumëmilionësh, kontrollojnë mediat përmes reklamave dhe financimeve të dyshimta. Për këto dy dekada, edhe Kosova i ka krijuar oligarkët e vet mafiozë.

Kryesori është numri një i shtetit, ndërsa rrjeti pas tij është tepër i rrezikshëm. Ata kanë shtrirje në çdo pore të institucioneve, në të tria pushtetet e dy nivelet e qeverisjes. Kushdo që ua nxjerr të palarat, përballet me sulmet e pamëshirshme, shantazhe e kërcënime që burimin e kanë nga nëntoka mafioze e oligarkisë kosovare.

Dje, pamë dy zhvillime, që japin një shkëndije shprese, se njerëzit e vetëdijesuar, opozita, sindikatat e shoqëria civile, mund të ndërmarrin një aksion serioz kundër oligarkëve. Peticioni në Telekom për t'i dhënë fund njërës nga kontratat më të dëmshme, me kosto qindramilionëshe, është i mirëseardhur dhe duhet mbështetur. Oligarkët Devolli, pronarë të 'Z Mobile', kanë përfituar shuma marramendëse nga kjo zhvatje me letra në PTK. Në anën tjetër, edhe Lëvizja 'Vetëvendosje', e liruar tashmë nga Shpend Jahti me shokë, marioneta të oligarkëve, ka ndërmarrë një aksion kundër klanit "Pronto" dhe bizneseve mafioze.

Qytetarët duhet të mobilizohen kundër mafio-oligarkisë kosovare, sepse sa më tepër forcohet ajo, aq më e errët do të jetë perspektiva e vendit. Një grusht njerëzish në pushtet e biznes, që ndajnë fitime të jashtëzakonshme mbi kurrizin, po e mbajnë peng Kosovën. Është koha që të mos lihen më të qetë, por të përballen me presionin qytetar e më pas edhe me forcën e ligjit.

(Kosova Sot)