Protestat, rruga për rrëzimin e regjimit sundues

  • 05 April 2019 - 17:07
Protestat, rruga për rrëzimin e regjimit sundues

Opozita ka paralajmëruar protesta, duke i bërë ftesë popullit t'i bashkohet këtij reagimi të domosdoshëm për të shporrur nga pushteti mafio-oligarkët, që po e rrënojnë shpresën për një shtet të lirë e demokratik. Kjo është një ftesë e vonuar, por gjithsesi e mirëseardhur, që duhet të rrisë ndjeshmërinë publike për fatet e vendit. Kosovën aktualisht po e kërcënojnë rreziqe të jashtme dhe të brendshme.

Për shkak të një presidenti të shantazhuar, që frikësohet nga aktakuza e Gjykatës Speciale për krime të luftës, territori nuk është më i sigurt në procesin e bisedimeve me Serbinë. Ndërkohë, në rrafshin e brendshëm, keqqeverisja, nepotizmi, korrupsioni, kanë mbërritur caqe alarmante. Nga ana tjetër, fluksi masiv i qytetarëve që duan të ikin nga skamja dhe padrejtësitë po e zbraz Kosovën, ndërsa kryeministri ankohet se mediat dhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare gjoja po spekulojnë.

Qytetarët tanë nuk mund të rrinë më të heshtur e të bëjnë sehir se si po e rrënon jetesën një qeveri e krisur, e cila nuk njeh më as ligj e as moral, as pasuri publike e meritokraci. Ndërsa opozita, që ka paralajmëruar protesta, do të duhej të ishte unike në qëndrimin e saj, por gjithashtu të qartësojë se si planifikon ajo ta ndryshojë situatën nesër, kur mund të vijë në pushtet. Njerëzit duhet të binden se nuk do të protestojnë që të shkojë një pushtet i degraduar, që të vijë një tjetër edhe më i zi.

Ata kanë të drejtë të kërkojnë një program të qartë, për të mos u zhgënjyer sërish. Sidomos sa i përket sundimit të ligjit, që mbetet brenga kryesore. Opozita duhet të garantojë se në programin e ardhshëm qeverisës do të bëhet reforma në drejtësi, do të ketë VETTING jo vetëm në institucionet e sigurisë e ligjit, por në secilën zyrë shtetërore.

Vetëm duke e pastruar shtetin nga të inkriminuarit, do të arrijmë të kemi qeverisje me duar të pastra. Gjithashtu, opozita duhet të përfshijë në programin e saj edhe Ligjin e lustracionit. Nuk mund të ecë përpara Kosova me spiunë e bij spiunësh nga të tëra anët.

(Kosova Sot)