Vizita u thënçin

  • 08 April 2019 - 16:01
Vizita u thënçin

Se sa poshtë ka rënë lidershipi kosovar, këtë e dëshmojnë më së miri vizitat e krerëve të vendit, njëra në Londër e tjetra në Detroit. Të padëshirueshëm prej kohësh, nga qendrat e vendosjes, presidenti dhe kryeministri i Republikës së Kosovës po përpiqen me dëshpërim t'ia shesin opinionit publik disa udhëtime informale, si vizita zyrtare të nivelit të lartë. E vërteta është, dhe këtë e di mirë secili prej tyre, këto nuk janë as vizita zyrtare, ndërsa për nivele të larta as që bëhet fjalë. Presidenti dhe kryeministri po udhëtojnë njësoj si shtetas të rëndomtë, që shëtisin nëpër botë, takojnë komunitetet shqiptare, marrin pjesë në manifestime të ndryshme etj. Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, përmes këtyre "vizitave", po e bindin edhe më skeptikun, se kredibiliteti i tyre ka rënë në nivelet më të ulëta. Bashkë me këtë rënie po zbehet edhe imazhi i shtetit tonë në botë. Nëse do të kishin vlerë këto shëtitje të liderëve kosovarë me paratë e taksapaguesve, në vend që t'i shihnim duke bërë demagogji në disa ekrane lokale ose medie që i kontrollon regjimi, do t'i dëgjonim duke u sfiduar në televizione prestigjioze botërore.

Është mirë që njerëzit të vetëdijësohen, se me këtë nivel lidershipi jo vetëm që izolimi do të vazhdojë, por Kosova do të bëhet një vend i padëshirueshëm për personalitetet e larta botërore. A ju kujtohet kur ka qenë vizita e fundit e ndonjë profili të lartë nga partnerët perëndimorë të Kosovës?! Populizmi dhe sharlatanizmi i udhëheqësve kosovarë mund të mashtrojë shumë qytetarë, por qeveritë evropiane dhe SHBA-ja, përmes këtij bojkoti të burrështetasve tanë (nëse mund të quhen të tillë), po përcjellin mesazhe të qarta refuzimi. Shoqëria kosovare do të duhej të nxirrte mësim nga kjo histori e përkeqësimit të marrëdhënieve me botën demokratike. Ky koalicion, kurdo që mbahen zgjedhjet, duhet ndëshkuar fort me votë. Pas protestave masive për kundërshtimin e sundimit despotik, vota e lirë mund t'i hapë rrugën përmirësimit të raporteve me BEnë dhe SHBA-në. 

(Kosova Sot)