Partitë, jashtë KQZ-së

  • 09 April 2019 - 16:08
Partitë, jashtë KQZ-së

Tri parti parlamentare u ankuan në Kushtetuese ndaj vendimit të presidentit për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas një bllokimi njëvjeçar. PSD, AAK dhe NISMA, që kanë secila grupin e saj parlamentar, konsiderojnë se është shkelur Kushtetuta, dhe kërkojnë të kenë përfaqësimin e tyre në organin mbikëqyrës dhe organizativ të proceseve zgjedhore. Beteja e tyre me presidentin, megjithatë nuk është një përplasje parimore, por puro për interesa të ngushta partiake. Të gjithë së bashku, përfshirë edhe kreun e shtetit, e dinë rëndësinë që ka kontrollimi i KQZ-së, një institucion formalisht i pavarur në punën e tij, por praktikisht, më i politizuar se vetë partitë. Anëtarët e Komisionit propozohen nga grupet parlamentare që dalin nga zgjedhjet, mirëpo pas zgjedhjeve të qershorit, PANi u nda në tri grupe parlamentare, ndërsa PSD-ja formoi një grup të ri parlamentar me të larguarit nga Lëvizja "Vetëvendosje".

Nëse përfaqësuesit e popullit do ta kishin seriozisht reformimin e KQZ-së, atëherë nuk do të shkonin në Kushtetuese, por do të propozonin një formulë tjetër për Komisionin. Militantët e partive nuk kanë çka të lypin në mekanizmin kryesor që mbikëqyr zgjedhjet në Republikën e Kosovës. Është detyrë e politikës që të reformojë kodin elektoral dhe të garantojë një përfaqësim sa më të besueshëm dhe apolitik në KQZ, aty ku janë legalizuar gjithnjë vendimet me pasoja për rezultatin e votimeve. Oligarkët e kontrollojnë KQZ-në dhe reformimi i tij është i vështirë, megjithatë, së paku, partitë në vend që të kërkojnë hise, është mirë që të mbështesin largimin e çdo hiseje partiake aty. Kësisoj, do të krijohej një besueshmëri për zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen ato. Në KQZ duhet të zgjidhen njerëzit apartiakë, me integritet, profesionistë, që nuk u japin llogari kryetarëve të partive, por punojnë me përgjegjësi, për të garantuar votën e lirë të qytetar.

(Kosova Sot)