Edhe një miliard. Rrafsh!

  • 13 April 2019 - 15:29
Edhe një miliard. Rrafsh!

E, ndërsa opinion e vret mendjen a ishte a nuk ishte një deputet opozitar anëtar i SHIK-ut, Qeveria në anën tjetër po e përgatit dosjen tenderuese për një tjetër projekt madhor. Edhe një autostradë. Edhe një, edhe një…Me fondet publike. Cent për cent nga arka e shtetit, që mbushet nga taksapaguesit kosovarë, qytetarët dhe bizneset. Kosova kësisoj i hyn sipërmarrjes së tretë gjigante për buxhetin modest të vendit. Autostrada "Ibrahim Rugova" kushtoi mbi një miliard euro. Autostrada "Arbën Xhaferi" po kushton 700 milionë euro. Përveç asaj të Dukagjinit, është edhe një tjetër në proces, ajo e Gjilanit. Një miliard euro mund të shkojë kostoja e Autostradës së Dukagjinit,ndërsa qindra miliona do t'i gëlltisë edhe projekti drejt Gjilanit.

Por, si shpjegohet që brenda pak viteve qeveritë kosovare nuk hezitojnë të derdhin së paku dy buxhete vjetore të Kosovës në autostradat më të shtrenjta në Evropë, ndërsa nuk janë në gjendje të kryejnë një kilometër në dalje të Prishtinës, ku komunikacioni bllokohet për orë të tëra?! Pushtetarët kosovarë e dinë se hajnia më e lehtë është në asfalt. Kushdo që e fiton tenderin, detyrim e ka të marrë kontraktorët në pronësi të mafio-oligarkëve kosovarë. Fitimet korruptive janë në dy drejtime. Së pari është shpronësimi. Qeveritarët përkujdesen që variant i autostradës të përputhet maksimalisht me pronat e tyre apo të të afërmve, miqve, bizneseve. Nëse nuk kanë aty prona, e shfrytëzojnë periudhën deri në finalizimin e projektit, për t'i blerë ato me çmim të ulët, pastaj i shpronësojnë disa fish më shtrenjtë. Së dyti, është "talli" i pushtetit për fituesin e tenderit. Në këtë vend, pa dhënë ryshfet nuk kalon as një projekt modest e lërë më një autostradë milionëshe. Pozitë e opozitë këtu bëhen bashkë, i ndajnë fitimet, prandaj edhe e mbyllin gojën në fund. Kësisoj, rrafsh një miliard euro po bëhen gati për një autostradë, leverdia ekonomike e së cilës nuk është e argumentuar nga asnjë studim fizibiliteti. Po sikur këto miliarda të qytetarëve tanë të investoheshin në arsim, në punësim, në shëndetësi…Natyrisht, nuk do të iknin kaq shumë të rinj nga Kosova!

(Kosova Sot)