Shqiptarët dhe krimi, Kosova dhe izolim

  • 17 April 2019 - 15:39
Shqiptarët dhe krimi, Kosova dhe izolim

Parlamenti holandez votoi rikthimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, pas shqetësimeve në rritje për kriminalitetin e shtuar nën qeverisjen e Edi Ramës. Ky lajm do të duhej të shqetësonte edhe Kosovën, që më kot prêt sivjet të përfitojë lëvizjen e lirë në hapësirën e zonës së Shëngenit. Askush nuk u beson më fjalëve boshe të qeveritarëve tanë, të cilët gjithnjë shfajësojnë veten për dështimin dhe ia adresojnë përgjegjësinë Bashkimit Evropian. Holanda është ndër vendet që e sheh me shumë rigorozitet aspektin e sundimit të ligjit, ku Kosova gjithnjë ngel në provim. Si mund të pretendojë kjo Qeveri se do ta japin liberalizimin e vizave, kur në radhët e saj ka ministra me aktakuza?! Si mund të presim lëvizje të lirë në Evropë, me tërë këtë abuzim të pushtetit dhe pasurisë publike nga njerëzit që janë në pozita?!

Dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është arsyeja kryesore pse vendi ynë mbetet edhe më tutje i izoluar, në krahasim me rajonin. Për sa kohë prokurorët dhe gjykatësit i emëron klani "Pronto", mos të presë kush ndonjë lajm të mirë nga Brukseli. Me këtë lidership aktual, nuk është aspak e befasishme të shohësh mijëra të rinj kosovarë, në veçanti që t'ia mësyjnë vendeve perëndimore në kërkim të një jete më të mirë. Kur ke një president që bën pazar me territorin e shtetit dhe një kryeministër që thotë se kur i teket bën çka të dojë, vaj halli për këtë popull! Ky është moment i fundit për të reaguar si shoqëri, si media, si organizata të pavarura, si parti që e kanë me tërë mend angazhimin për një qeverisje të ndershme e të përkushtuar për shtetin. Kosovës i mungon politika shtetërore, patriotizmi institucional. Politikanët tanë e shohin pushtetin si mundësi për të bërë biznes korruptiv, për t'u pasuruar me shpejtësi, siç edhe kanë bërë këto dy dekada, por jo për t'u angazhuar për të mirën publike.