"Notre Drame"

  • 18 April 2019 - 15:34

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar në mënyrë simbolike Francën në renovimin e katedrales "Notre Dame" në Paris, që u dogj aksidentalisht, ka nxitur reagime të shumta, një pjesë e madhe negative. Pavarësisht faktit se edhe ky ekzekutiv po dëshmohet se është në shërbim të oligarkëve dhe monopoleve, duke e varfëruar popullin e dobësuar ekonominë, në këtë rast nuk na bën nder një frymë e tillë diskutimi. Franca është ndër shtetet që e kanë mbështetur Kosovën në ditët më të rënda. Para dy dekadash, burrështetasit e këtij vendi mbështetën bombardimet e NATO-s që zmbrapsën forcat serbe, të cilat po masakronin civilët e pafajshëm. Franca është ndër partnerët tanë të rëndësishëm. Jo rastësisht bashkë me kancelaren Merkel, në takimin e thirrur në Berlin në fund të këtij muaji, nikoqir është edhe presidenti francez Macron. Katedralja e Parisit ka siguruar fonde në vlerë miliardëshe tashmë dhe natyrisht që rindërtimi i njërit prej objekteve më tërheqëse të trashëgimisë kulturore e historike jo vetëm të Francës, por të njerëzimit, nuk varet nga një mbështetje e Qeverisë kosovare.

Gjithsesi, simbolika e këtij vendimi është domethënëse, sepse Kosova nuk mund të tregohet indiferente në këto raste. Nuk mund ta lidhim çdo gjë me rastet tona sociale, sepse edhe shteti ynë duhet të shfaqet dinjitetshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në globalizmin që ka përfshirë botën, sidomos kur bëhet fjalë për vlera të tilla. Është e arsyeshme dhe e domosdoshme të reagohet kur pushteti pa kurrfarë argument ndan miliona për një kompani, apo u jep fonde bizneseve, organizatave e individëve pa kurrfarë mbulese, pa transparencë dhe për më keq, edhe paligjshëm. Sidoqoftë, në rastin e incidentit dramatik në Paris, nuk duhen përzier temat. Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës që ta rinovojë Katedralen e famshme, sepse vetëm dy miliarderë të këtij shteti siguruan menjëherë shumën marramendëse, por Franca, si një vend demokratik me një histori që ka ndryshuar Evropën, ka nevojë edhe për solidaritetin tonë. Diskursi ynë, në fakt, tregon dramën tonë ose nëse do të shpreheshim në gjuhën frënge - "notre drame"!

(Kosova Sot)