Një demagog dhe matrapaz si Shpendi

  • Kosova Sot /
  • 19 April 2019 - 16:31
Një demagog dhe matrapaz si Shpendi

Lideri i PSD-së u shfaq dje në një konferencë shtypi për të marrë flamurin e luftës antikorrupsion. Kryetari i Prishtinës, që hapur është shndërruar në një marionetë të grupeve kriminale dhe nëntokës mafioze, u përpoq t'ia mbushë mendjen publikut se partitë e tjera nuk kanë ide si ta luftojnë korrupsionin, por subjekti i tij e paska të qartë këtë mision.

Ai e përmendi edhe VETTING-un, për të cilin gazeta shkruan çdo ditë, edhe pse shteti hesht dhe politikanët bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Po ta kishte pasur seriozisht kryetari i kryeqytetit, do të kishte kushtëzuar Qeverinë dhe kryeministrin përmes kushteve që ua vendosën në rastin e votimit të buxhetit. Por, jahtistët nuk mund ta bënin një gjë të tillë, sepse e dinë se po u bë VETTING-u viktimat e para do të ishin Shpendi me shokë.

Tani, konferencat si e djeshmja janë pjesë e një mashtrimi publik nga kjo parti që bën sikur është në opozitë, ndërsa, në anën tjetër, të gjitha veprimet i ka të koordinuara me pushtetin e korruptuar. Nuk mund të jetë e besueshme një parti që kërkon gjoja VETTING e mban në këmbë Qeverinë e inkriminuar. Asnjë kushtëzim nuk e ka bërë PSD-ja për qeverinë 'Haradinaj', që ka bërë disa veprime skandaloze, korruptive, që mban ministra me aktakuza dhe shpenzon mjete pa përfillur asnjë kriter ligjor.

Po ta duan vërtet reformën në drejtësi, parlamentarët socialdemokratë, por edhe të tjerët, do të inicionin me urgjencë VETTING-un. Dhe jo vetëm në drejtësi, por edhe në partitë kosovare. Politikanëve aktualë nuk u intereson një reformë e tillë, sepse do ta pësonin së pari vetë ata, pastaj rrjeti i tyre në sistemin e drejtësisë, klientela mafioze në sektorin publik dhe privat. Prandaj, kur flet Shpend Ahmeti, që e inkriminoi edhe më tepër Prishtinën, për rend dhe ligj, është fyese për secilin qytetar.

Po të kishte drejtësi të vërtetë, ai nuk do të ishte në karrigen e kryetarit, por prapa grilave, bashkë me klanin 'Pronto', të cilit i shërbejnë me besnikëri ai dhe shokët e tij të bandës.

(Kosova Sot)