Mashtrimi i PAN-it

  • 20 April 2019 - 16:33
Mashtrimi i PAN-it

Sipas monitoruesve të shoqërisë civile, koalicioni në pushtet-PAN, prej njëqind premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale, ka realizuar vetëm gjashtë prej tyre. Në fakt, është befasi se si janë realizuar edhe këto të gjashta, sepse kaq hipokritë sa janë këta politikanë, saqë nuk u bën shumë përshtypje a i përmbahen qoftë edhe një zotimi të vetëm. Me rëndësi për ta, gjithnjë ka qenë që të mashtrojnë votuesit, t'ua marrin votën, e pastaj t'ua kthejnë shpinën. Trendi i realizimit të premtimeve të partive në pushtet është kaq dëshpërues, saqë njerëzit tashmë kanë vendosur ta braktisin Kosovën. Me këtë ritëm të përmbushjes së këtyre premtimeve jo katër vjet sa është mandati i rregullt qeveritar, por edhe katër dekada nuk do të realizohen. Pushtetarët gjejnë gjithnjë arsye për t'u justifikuar, por nuk mund t'i mashtrojnë më njerëzit me zotime të fryra dhe propagandistike. Partitë kosovare kanë vetëm fjalë, por jo edhe vepra në të mirë të shoqërisë. Liderët janë të uritur për pushtet dhe çdo gjë që bëjnë e lidhin me të qenit domosdoshmërisht në ndonjë pozitë.

Si rrjedhojë, është krijuar një konjukturë shtetërore, e varur nga një grusht njerëzisht që veprojnë bazuar në interesat personale, klanore dhe kriminale. Nuk është e papritur, që sërish populli po ndërmerr eksodin e radhës, sepse nuk ka më shpresë me një Qeveri të tillë. Këta jo vetëm që nuk e pranojnë realitetin, por hapur vazhdojnë me skandale, afera, abuzime, zhvatje, paligjshmëri. Frikë nuk kanë, sepse e kanë drejtësinë në grusht, e ndëshkojnë kë të duan, e amnistojnë të gjithë banditët e pushtetit. Edhe çështja e zgjedhjeve të parakohshme nuk lidhet aspak me taksën ose diçka tjetër, por me reputacionin skandaloz të PAN-it. Po të dalin nesër në zgjedhje, këto parti mashtruese as pragun nuk e kalojnë. Prandaj, është e pritshme, nëse nuk ka protesta masive dhe reagim serioz qytetar, që kjo Qeveri të na mashtrojë deri në fund të mandatit.

(Kosova Sot)