Komandantët dhe "komandantët"

  • 22 April 2019 - 15:52
Komandantët dhe

Sa më shumë afron përvjetori i 20-të i çlirimit të Kosovës, aq më të zëshëm bëhen protagonistët e luftës për bëmat e tyre. Së fundmi, bie në sy një garë për të marrë flamurin e fitores, herë një palë e herë pala tjetër. Evokimi i kujtimeve të luftës së UÇK-së është i drejtë, por mënyra se si po bëhet nxjerr në pah shumë gjëra të panjohura për publikun. Pa dyshim që Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet vlerë e përjetshme në historinë e kombit tonë, në përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi, por në anën tjetër, kuptohet fare mirë se disa "komandantë" nuk kanë qenë ato figurat që janë promovuar prej kohësh. Është defekti i historiografisë sonë që nuk ka arritur as për dy dekada të bëjë një histori objektive të luftës së UÇK-së, duke e lënë kështu informimin për të në duart e individëve, jo rrallë të disave që nuk po na dalin dhe aq heronj e trima. Këta më tepër rreziteshin në plazhet e Shqipërisë ose bënin qejf në hotelet e Tiranës, sesa kontribuonin aty ku qe rreziku për jetën. Për ta bërë më të rëndë këtë "historiografi", është edhe çështja e fondeve të luftës.

Qindra e qindra miliona euro u dhanë nga diaspora e populli ynë për rezistencën e armatosur, për qeverinë e përkohshme. Dy fondet, "Vendlindja Thërret" dhe "3- përqindëshi", grumbulluan mjete marramendëse, për të cilat nuk pati kurrë raportim, transparencë, auditim apo hetim. "Komandantët" me gjasë më tepër se për luftën u përkujdesën për milionat, ndërsa komandantët e vërtetë ranë në fushën e betejës. Dikush edhe shpëtoi, por çuditërisht pjesë e politikës dhe pushtetit zakonisht u bënë matrapazët e jo heronjtë. Nuk shpjegohet ndryshe realiteti i sotëm, kur imazhi i UÇK-së është goditur nga vetë ata që i thurin lavde. Mjafton të përmendim skandalin më të madh të pasluftës, falsifikimin e listave të veteranëve, një skemë mashtrimi e korrupsioni, përfitimi elektoral dhe abuzimi të jashtëzakonshëm financiar. Komandantët e vërtetë këtë nuk do ta bënin kurrë!

(Kosova Sot)