Ndërtimtaria apo anarkia?

  • 24 April 2019 - 15:49
Ndërtimtaria apo anarkia?

Ndërtimi në Kosovë është bërë ndër bizneset më kriminale, për shkak të pushtetit të korruptuar, që në vend se të zbatojë ligjin dhe standardet e këtij sektori, angazhohet vetëm për të zhvatur e përfituar në mënyrë të paligjshme. Rrallë gjen një objekt ku të mos përfshihet ndonjë aksionar nga emrat e politikës, pushtetit apo familjar e mik i tyre. Kosova duhet të jetë me shumë fat nëse nuk përfshihet nga dridhjet e ndonjë tërmeti, sepse pasojat mund të jenë katastrofale me këtë cilësi ndërtimi që e kemi aktualisht. Si rrjedhojë e krimit që e ka përfshirë këtë sektor, edhe kompanitë që po veprojnë zakonisht nuk i përfillin kriteret teknike, ato të sigurisë, ndërsa licencat e lejet i kanë marrë, sipas të gjitha gjasave, duke dhënë mitë. Por, ata që e pësojnë janë punëtorët e pafajshëm, apo qytetarët e rëndomtë, që bien viktimë e këtyre ndërtimeve pa kurrfarë kriteri. Kësisoj ndodhi së fundmi në Mitrovicë.

Është tepër ironike kur i dëgjon krerët e shtetit, që edhe fshihen pas disa investimeve të mëdha në sektorin e ndërtimit, duke kërkuar marrjen e masave dhe vendosjen e ligjit. Pse u dashka gjithnjë të presim që të vdesë dikush, në mënyrë që të kërkojmë respektimin e ligjit?! Kjo ndodh vetëm në Kosovë. Shiheni vetëm Prishtinën, ku kaosi ndërtimor është tmerrues, ndërsa kryetarit dhe klanit të tij i interesojnë vetëm përfitimet korruptive nga dhënia e lejeve të ndërtimit, nga "talli" që e ndajnë me investitorët shpesh të dyshimtë. Anarkia në ndërtim do të lërë pasoja të jashtëzakonshme për Kosovën. Zëri i profesionistëve nuk po përfillet fare, edhe pse kemi arkitektë e ndërtues, gjeodetë e inxhinierë të aftë që të mbikëqyrin ndërtimtarinë në Kosovë. Fatkeqësisht, rregull nuk ka, ligji nuk përfillet dhe, për më keq, standardet teknikë fare rrallë mund të respektohen nga ndonjë kompani më serioze, që ende nuk është kapur me pushtetin. Pushtetarëve nuk u intereson nëse shembet ndërtesa dhe e zë dikë në rrënoja, sepse qëllimi i vetëm i tyre është të mbushin xhepat me paratë e krimit dhe korrupsionit, që shpëlahen në beton anembanë Kosovës. 

(Kosova Sot)