Rrezikimi i publikes për hir të disa xhepave të krimbur privatë

  • 25 April 2019 - 15:48
Rrezikimi i publikes për hir të disa xhepave të krimbur privatë

Edhe pse sa ishte në opozitë, kryeministri aktual përbetohej bashkë me disa partnerë aktualë se do të bënte çmos që të luftonte kapjen e shtetit, jo vetëm që nuk u angazhua në atë drejtim, por e bëri veprimin e njëjtë si partitë e tjera që lëshuan rrënjë në pushtet prej dy dekadash. Në çdo vendim bëhen kalkulime puro partiake, për interesa të ngushta të mafio-politikanëve dhe të klaneve korruptive e grupeve të interesit që qarkullojnë qindra miliona euro. Me rëndësi, edhe për Qeverinë e sotme është ndarja e tortës të asaj që quhet PASURI PUBLIKE. Pjesa tjetër nuk ka vlerë. Si rrjedhojë, përballemi përditë më skandale e afera, abuzime e shpërdorime, zhvatje masive e korrupsion sistematik. Për shkak të drejtësisë së instrumentalizuar, asnjë keqbërës i veshur me kostumin shtetëror nuk penalizohet.

Mund të ketë tek-tuk ndonjë aktakuzë, por finalja është zakonisht një happy end për shkelësit e ligjit dhe dëshpërues për qytetarët që më kot presin e shpresojnë se do të ketë drejtësi. Republika e dizajnuar si një shtet i qytetarëve, shtet i së drejtës, shtet demokratik, në fakt e ka humbur secilin dimension, që i jep asaj atributet e një vendi normal. Veç normal nuk mund të quhet një shtet si ky i yni, ku asgjë nuk funksionon, ku pasuria publike shihet si plaçkë e liderët e konsiderojnë veten se janë mbretër të Kosovës. Mund të jetë vonë dikur, nëse nuk reagohet tani, me vendosmëri. Kapja e shtetit e ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e këtij vendi, sepse sa për të tashmen, tashmë ajo ka marrë fund. Nuk ka më shpresë me këtë kastë politike në pushtet. Ky brez do të përjetojë vuajtje edhe më të rënda si pasojë e sundimit kleptokratik. Puna është se si ta pastrojmë terrenin nga kriminelët e politikës, që e nesërmja së paku të jetë shpresëdhënëse. Pa u zgjuar ky popull nga gjumi e pa një opozitë serioze, ndryshimi duket i largët.

(Kosova Sot)