Edhe ambasadori po thotë "Protestoni"

  • Kosova Sot /
  • 27 April 2019 - 09:38
Edhe ambasadori po thotë

E çfarë mund të thuash më kur vetë ambasadori i SHBA-së në vendin tonë del hapur në mbështetje të reagimit të fuqishëm shoqëror kundër keqpërdorimeve të pushtetit dhe oligarkisë politike. Vazhdimisht e potencojmë edhe në editorialet e gazetës se ky vend nëse hesht përballë së keqes që e ka përfshirë shtetin, nuk ka të ardhme. Thirrja e diplomatit Kosnett është në kohën e duhur për qindra e mijëra qytetarë, të cilët po përballen çdo çast me pasojat e një keqqeverisje dhe një sundimi të ashpër politik.

Injorimi që po u bëjnë pushtetarët aktualë të gjitha thirrjeve diplomatike për të ndalur korrupsionin, nepotizmin, ndërhyrjet flagrante në punësim, abuzimet me listat e veteranëve të luftës e shumë e shumë afera të tjera, është i padurueshëm, prandaj nevojitet reagimi qytetar. Kur pushteti i korruptuar përballet me lumin e zemëruar të njerëzve në rrugë e sheshe, gjërat ndryshojnë.

Sundimtarët vetëm në një rrethanë të tillë frikësohen dhe zmbrapsen, japin dorëheqje dhe tërhiqen nga pushteti. Por, populli duhet të kërkojë jo thjesht një largim nga pozitat që u japin privilegje e luks të jashtëzakonshëm. Ky vend ka nevojë për drejtësi. Ky shtet duhet t'ua konfiskojë pasurinë e paligjshme të gjithë zyrtarëve e ish-zyrtarëve, politikanëve e ish-politikanëve, sepse vetëm kështu do të ketë zbatim të ligjit dhe ndërgjegjësim të secilit që ka zgjedhur të merret me politikë e të bëjë punë shteti. Ne si shoqëri duhet të jemi shumë më aktivë, të reagojmë fuqishëm sa herë shkelen të drejtat e qytetarëve, sa herë abuzohet nga qeveritarët e pangopshëm, të cilët edhe hapur e thonë se as që e kanë ndërmend të ndalen në veprimet e tyre antiligjore, të pamoralshme, abuzive dhe shpërdoruese.

Qytetarët duhet të zgjohen nga gjumi, ashtu siç apelon edhe diplomati amerikan në Prishtinë, sepse e ardhmja jonë e përbashkët është në pikëpyetje nga kjo garniturë e krimbur politike.

(Kosova Sot)