Të përçarë në Berlin

  • 29 April 2019 - 16:21
Të përçarë në Berlin

Presidenti doli i vetëm në konferencë shtypi para takimit të Berlinit. Kryeministri mund të ketë qenë i lodhur pas vrapimit në gjysmëmaratonën e Prishtinës. Dy krerët e Republikës na ritreguan edhe një herë se nuk kanë kurrfarë uniteti në samitin joformal të ftuar nga dy liderët e fuqishëm evropianë, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron. Po të ishte ndryshe, së paku Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj do të kishin dalë së bashku në një konferencë shtypi, për të folur me një zë, për qëndrimin e Kosovës në raport me Serbinë. Kjo mungesë e theksuar uniteti politik është paralajmërim i një dështimi të ri në kuadër të përpjekjeve për zhbllokimin e dialogut, që ka ngecur prejse u vendos taksa ndaj produkteve të Serbisë. Kjo taksë, tashmë është shndërruar në një mashë elektorale, të cilën po e shtrëngon me forcë, sado e nxehtë të jetë, kreu i Qeverisë, i bindur se do të përfitojë politikisht.

Në emër të bllokimit të pazarit territorial, që është nxitur nga presidenti, kryeministri ka refuzuar Uashingtonin dhe Brukselin, pa dhënë kurrfarë alternative dalëse nga kjo statusquo. Me marrëdhënie, në nivelin më të ulët të mundshëm, pas një konfrontimi të hapur me zyrtarët e lartë të BE-së, liderët kosovarë ia mësyjnë Berlinit, pa ndonjë pritje të veçantë. Është e qartë se kjo përçarje e autoriteteve të Kosovës çon ujë në mullirin e Serbisë, sepse e dobëson pozicionin e shtetit tonë. Në vend që të luftojmë për të hequr pengesat që na dalin përpara, Kosova po i nxjerr vetes barrikada të reja. Të bisedosh me Serbinë, nuk do të thotë të pranosh secilën ofertë që të vjen në tavolinë. Megjithatë, sjellja arrogante në raport me partnerët kryesorë të vendit mund të ketë pasoja të rënda. Nuk është e rastësishme që ambasadorët perëndimorë në Prishtinë vazhdimisht po bëjnë thirrje që populli të protestojë kundër pushtetarëve mujsharë dhe oligarkëve të pasluftës që po sundojnë pamëshirshëm. 

(Kosova Sot)