
Kremi për trajtim të rrudhave dhe heqje të njollave
Pas përdorimit të këtij kremi, lëkura bëhet e butë dhe e lëmuar, poret ngushtohen, lëkura pastrohet dhe bëhet e hidratuar, shtrënguar dhe e shëndetshme. Kremi ngushton kapilarët dhe e redukton skuqjen, si dhe mundësinë e krijimit të akneve dhe puçrrave të vogla. Lëkura nuk ka shkëlqim të yndyrshëm, për shkak se kremi absorbohet lehtë. Përparësi e këtij kremi janë siguria dhe përbërësit natyralë. U përshtatet të gjitha llojeve të lëkurës. Provojeni dhe do të ndaheni e kënaqur.
PËRBËRËSIT:
- 150 gramë ajkë me yndyrë - 30 ml alkool 70% - 1-2 lugë me lëng të freskët të trangullit - 1 lugë me vaj ulliri - 1 të verdhë të freskët të vezës - Disa pika vaji eterik - 1 kavanoz i zbrazët prej 200 mililitrash.
PËRGATITJA:
E përzini mirë ajkën me të verdhët e vezës, shtoni lëngun e trangullit dhe vajrat. Në fund e shtoni alkoolin, të gjithë përbërësit i përzini mirë dhe përzierjen e qitni në kuti. Lëreni në frigorifer, në mënyrë që të bëhet më e dendur. Kremin e ruani në frigorifer, të mbyllur mirë. Afati i qëndrueshmërisë së këtij kremi është 3 muaj. Të gjitha produktet kozmetike të bëra në shtëpi duhet të ruhen të mbyllura mirë. Një pjesë e fletës së aluminit ose letrës së yndyrshme në hapje të kavanozit dhe një kapak, krijojnë mbrojtje mjaftueshëm të mirë për kremin. Në krem mund të qitni vitamina A dhe E, si dhe vajra eterike, që gjithashtu e rinojnë lëkurën e fytyrës. Nëse nuk jeni alergjike ndaj mjaltit, mund ta shtoni një gjysmë luge të vogël.
Të gjitha këto duhet shtuar para qitjes së alkoolit në përzierje. Vajrat më të mira për këtë krem janë ato të portokallit, jaseminit, livandës. Këshillë: Reduktojeni ose rriteni dozën e përbërësve, për të formuar krem për llojin e lëkurës suaj. Nëse keni lëkurë të yndyrshme, shtoni më shumë alkool, nëse keni lëkurë të tharë, shtoni më shumë ajkë dhe vajra. Nëse dëshironi që ta zbardhni lëkurën, përdorni më shumë lëng të trangullit dhe lëng nga një e katërta e limonit.
(Kosova Sot Online)