Infertiliteti te femrat, çfarë përbën rrezik dhe zgjidhjet

  • 16 August 2019 - 12:33
Infertiliteti te femrat, çfarë përbën rrezik dhe zgjidhjet

Një çift i cili kryen marrëdhënie të rregullta, mund të arrijë një shtatzëni brenda një periudhë minimale 6 mujore – 1 vjeçare. Pas kësaj periudhe rreth 15% e çifteve nuk munden të kenë shtatzëni. Rreth 1/3 e tyre rezultojnë nga shkaqe të lidhura me probleme të femrës (vezore, tuba, mitra, hormonale etj). Rreth 1/3 rezultojnë prej faktorëve të lidhura me mashkullin (mungesë spermatozoidësh, probleme hormonale, varikoçelë etj.

Ndërsa 1/3 e çifteve nuk kanë një arsye të dukshme ose të dy partnerët mund të kenë probleme njëkohësisht. Periudha që një çift mund të tentojë për shtatzëni varion në varësi të moshës dhe problematikës që partnerët paraqesin. Sa më e madhe të jetë mosha e pacientes, aq më të shkurtër e rekomandojmë periudhën që çifti tenton të arrijnë një shtatzëni spontanisht, pa ndihmën e mjekut. Femrat gjithmonë e më tepër po rrisin moshën kur fillojnë të planifikojnë shtatzëninë e parë, kanë marrëdhënie më të hapura seksuale dhe menopauza ka një tendencë për t’u instaluar më herët. Ndërkohë infertiliteti mashkullor është një problem në rritje në gjithë Evropën. Infertiliteti prek meshkujt dhe femrat njësoj shkruan Shëndeti.

Në praktikën e përditshme pacientet pyesin nëse ka shenja të dukshme të cilat duhet të konsiderojnë për të kuptuar që diçka nuk po shkon me fertilitetin e tyre? Apo ku është ai ‘limiti’ i fundit, kur ato të planifikojnë një shtatzëni në mënyrë të sigurtë? Në të vërtetë nuk ekziston një “kambanë’ që lajmëron që folikujt po pakësohen në sasi dhe në cilësi. Mund të ndodhë që në disa femra cikli fillon e rrallohet apo pakësohet në sasi gradualisht ndërkohë që mjaft të tjera nuk arrijnë të kuptojnë ndonjë ndryshim të ciklit të tyre deri në momentin që menopauza fillon të instalohet. Po kush i prek më së shumti numrin dhe cilësinë e folikujve (vezëve) te një femër?

Mosha

Gratë lindin me një numër të caktuar vezësh, përreth 1 milion vezë. Ndërkohë që vitet kalojnë, numri dhe cilësia e tyre pakësohet e bie dhe bashkë me to ulet edhe fertiliteti në një femër. Bazuar në studime, vërehet se ka një rënie të tij pas moshës 30 vjeç dhe reduktim të dukshëm pas moshës 40 vjeçe. Madje, ndërkohë që mosha kalon, ndonëse mund të ekzistojë ende një sasi e pranueshme vezësh te një femër, ato paraqiten me defekte kromozomale, duke ofruar kështu embrione jo të shëndetshme. Kështu, për shembull, vërehet një incidencë e lartë e fëmijëve të lindur me sindromë daun nga femrat me moshë të madhe. Përpos kësaj, ky grup shoqërohet edhe me një shkallë më të lartë të aborteve spontane.

Gjenetika

Në disa raste janë anomalitë kromozomale që luajnë një rol vendimtar në cilësinë e dobët të vezëve ose deri në mungesë totale të tyre. Per shembull, në rastin e pacientëve me sindromin Turner (të cilat nuk kanë ovulacion fare për shkak të stukturës së lindur të vezoreve të tyre) teknikat e riprodhimit të asistuar me dhuruese vezësh do të ishin një zgjidhje optimale.

Dieta

Dieta e varfër mund të rezultojë në mungesa ushqimore, të ulë cilësinë e vezëve, pasi lëngu që rrethon vezën dhe qelizat granuloze (qelizat që mbështesin vezën) ka nevojë për sasitë ushqimore optimale për ta bërë vezën pjellore. Marrja me dietë e antioksidantëve, si çaji jeshil, shihet se ka qenë një faktor i rëndësishëm për të përmirësuar fertilitetin. Konsumimi i shumë frutave dhe perimeve të freskëta është burim për vitaminën E, e cila përmirëson fertilitetin.

Ushtrimet fizike

Ushtrimet e tepërta fizike mund të ndikojnë negativisht në fertilitet, por një aktivitet i moderuar fizik do të rriste shanset për një shtatzëni. Kështu, një shëtitje 30 minuta do të përmirësonte qarkullimin e gjakut dhe do të rriste cilësinë e vezëve.

Indeksi i masës trupore

Studimet sugjerojnë që një masë trupore afër asaj ideale shoqërohet me rezultate më të mira të cikleve të fertilizimit in vitro dhe shtatzënive normale. Kështu, sa më pranë peshës optimale, aq më të mëdha janë shanset për një shtatzëni.

Stresi

Çdo formë e stresit redukton dukshëm shanset për të ngjizur. Një pjesë e pacienteve vendosin të planifikojnë lindjet e tyre në një moshë më të madhe, për shkak të karrierës apo për zgjedhjen e tyre. Pjesa tjetër përjetojnë një menopauzë me të hershme, kanë endometrioza (kiste çokollate) apo infeksione seksualisht të transmetueshme të rrugëve gjenitale. Këto shkaqe do të bëjnë që kur pacientja të vendosë të planifikojë shtatzëninë, të mos e ketë aspak të lehtë edhe stresi do të akumulohet e do të krijojë një cikël vicioz.

Duhani/alkooli

Duhanpirja redukton shanset për shtatzëni normale apo të asistuar. Alkooli gjithashtu nuk këshillohet para dhe gjatë shtatzanisë, pasi çon në ulje të acidit folik, një suplement i pazëvendësueshëm për shtatzëninë.

Sëmundjet

Diabeti dëmton cilësinë e vezëve, vërehet një shkallë e ulët fertiliteti të pacientet diabetike. Çrregullimet autoimmune të tiroides cenojnë fertilitetin, pasi niveli i antitrupave anti tiroidien në lëngun përreth vezës do të jetë i lartë, duke rezultuar kështu në reduktim të shanseve për shtatzëni. Insuficienca e veshkave mund të çojë në insuficiencë të vezoreve. Tumoret e hipofizës ulin shkallën e fertilitetit.

Ilaçet

Disa mjekime p.sh për trajtimin e epilepsisë apo hipertensionit, mund të ulin fertilitetin. Nga ana tjetër, ilaçe të tjera, si: clexan, aspirinë, clomid, leuprolide, intralipid janë një ndihmë e madhe për çiftet në kërkim të një foshnjeje.

Sëmundjet gjinekologjike

Sëmundjet që prekin vezoret, si endometrioza (e cila ul ndjeshëm sasinë e vezëve) apo sindromi i vezoreve polikistike (në të cilën vezët ndalin zhvillimin dhe nuk përfundojnë maturimin e tyre) përmenden si shkaqet kryesore. Kanceri ovarial është një tjetër shkak që çon në infertilitet.

Rrezatimi

Ekspozimi ndaj radioterapisë do të çonte në dëmtim të vezëve dhe është shkak për mutacione gjenetike dhe foshnja të lindura me anomali. Efekti i bombardimit në Hiroshima apo Nagasaki, ndihet ende tek foshnjat e lindura me anomali në ato zona.

Kimikatet

Insekticidet, si: endosulphan ose dietilstilbestrol (ky i fundit gabimisht u jepej grave për të ulur riskun e komplikacioneve të shtatzënisë) rezultuan në dëmtim të cilësisë së vezëve apo rritën numrin e lindjeve para kohe, të aborteve spontane, foshnjeve anormale apo numrin e rasteve me infertilitet te femrat.

Kimioterapia

Nëse kimioterapia administrohet për të trajtuar çfarëdo lloj kanceri, ajo mund të dëmtojë funksionin e vezoreve. Madje mund të japë insuficiencë totale ovariale. Në këto raste për të ruajtur riprodhimin, pacienteve u sugjerohet të ruajnë të ngrira vezët për t’i përdorur më pas.

Kirurgjia

Ndërhyrjet kirurgjikale për heqjen e cisteve endometriozike, mund të shoqërohen me heqje të pjesshme apo të plotë të indit të vezorial. Do të ulej ndjeshëm numri i folikujve në këtë rast (p.sh një femër 25 vjeçe pas ndërhyrjes në vezoret e saj do të kishte rezerva vezoriale si të një femre 35-vjeçare). Humbja e rezervave vezoriale do të ishte e parikuperueshme.

Heqja e njërës vezore të prekur nga kanceri, të torsionuar apo me kiste do të pakësonte folikujt e njërës vezore, por vezorja e dytë është më se e mjaftueshme për të pasur shtatzëni.

Analizat

Analizat të cilat përdorim për të gjykuar mbi fertilitetin e një femre janë hormoni stimulues folikular (FSH), hormoni luteinizues (LH) dhe hormoni antimullerian (AMH). Sigurisht, rezultatet e këtyre testeve bashkëngjiten me rezultatet e ekzaminimeve dhe analizave të të dy partnerëve për të gjykuar drejt rreth problemit dhe zgjidhjes së tij.

(Kosova Sot Online)