Maska më e mirë për flokë, e bërë në shtëpi

  • 15 tetor 2019 - 18:26
Maska më e mirë për flokë, e bërë në shtëpi

Bën mrekulli edhe me flokët më të dobët, duke parandaluar rënien, duke i forcuar dhe përtërirë flokët A e dini se maska e thjeshtë për flokë, që përmban tharm të bukës, mund të jetë tejet efikase? Rezultati i përdorimit të kësaj maske, jo vetëm që sjell flokë kualitative, por edhe ky efekt është i qëndrueshëm. Maskat me tharm të bukëve përshtaten me çdo lloj të flokëve dhe janë të pazëvendësueshme në luftë kundër rënies së flokëve dhe për rritjen e shpejtë të tyre. Duke përdorur maskën me tharm të bukëve, flokët do t'i pastroni me sukses edhe nga zbokthi. Përdorimi i kësaj maske duhet të jetë i rregullt, e jo i herëpashershëm.

PËRDORIMI

Maska me tharm përdoret një herë në javë, si preventivë dhe për përshpejtimin e rritjes së flokëve, në kohëzgjatje prej 10- 15 javësh. Më pas bëjeni një pauzë prej 3 muajsh, e përsëriteni procedurën sipas nevojës. Nëse qëllimi është mjekimi i flokëve, atëherë maska me tharm duhet të përdoret 2 herë në javë, në kohëzgjatje prej 6-8 javësh. Kjo nuk është recetë për mjekimin e tullacërisë, por për përmirësimin e kualitetit të flokëve dhe për rritjen më të shpejtë të tyre. Përbërjen e maskës mund ta ndryshoni duke shtuar vaj ricini, vaj ulliri, jogurt, lëng të aloe verës, etj, por përbërësi kryesor është tharmi.

JA RECETA E MASKËS

Në 1 lugë të supës me qumësht të nxehtë tretni 1 lugë të çajit mjaltë apo sheqer, të shtoni 20 g të tharmit të freskët. Lëreni në vend të nxehtë që të fryhet për 15-20 minuta. Përzierjen e vendosni në flokë të pastra, të lagëta, nga rrënjët kah majat. Mund të vendoset edhe në flokë të palara. Flokët më pas i mbështillni me peshqir dhe qese të najlonit. Mbajeni në kokë të paktën një orë, por sa më gjatë, aq më mirë. Më pas lani me shampon, nëse maskën e keni vendosur në flokë të palara, e nëse e keni vënë në flokë të lara, atëherë mjafton vetëm t'i shpëlani flokët. 


(Kosova Sot Online)