Një njeri i çlirët është gjithmonë vetvetja

  • 28 tetor 2019 - 16:14
Një njeri i çlirët është gjithmonë vetvetja

Ndonjëherë nuk e kuptojmë se sa e shkurtër është jeta. Atëherë: a ia vlen që ta jetojmë duke u munduar të jemi dikush tjetër? Sigurisht që jo…

Të jesh vetvetja, të jesh origjinal dhe të afirmosh çdo ditë unicitetin vetjak, është thelbësore që të mos biem në kurthin e maskave dhe në artin e kamuflimit, i cili në të vërtetë na bën pafundësisht të palumtur.

Por të jesh vetvetja nuk është e thjeshtë. Sidomos sepse jemi mësuar që të vegjël të ndjekim rregulla preçize: duke u sjellë në njëfarë rregulli, duke u përgjigjur në një mënyrë të caktuar, duke u shfaqur mirëkuptues edhe kur nuk biem dakord me dikë, duke kamufluar defektet për t’i pëlqyer më shumë dikujt, si dhe një sërë sjelljesh që na kanë mësuar vetëm “sepse kështu duhet”.

Duke u rritur, mendojmë më shumë për shoqërinë, nëpërmjet mediave e marketingut, të cilat na thonë se në ç’mënyrë duhet të vishemi, çfarë muzike duhet të dëgjojmë, çfarë duhet të hamë dhe të gjitha tendencat e ndryshme që duhet të ndjekim që të jemi në një hap me kohën. Rezultati është: hyjmë të gjithë të bëjmë pjesë në një tufë, të cilën e ndjekim nga pas me kujdes nga frika e mospranimit. Por, në të gjithë këtë “ne”, me mendimet tona, defektet tona, opinionet tona, aftësitë tona, me natyrën tonë të vërtetë… ku jemi?

Reflektojmë mbi gjendjen aktuale, sa prej nesh ndihen si kukulla në duart e dikujt tjetër? Besoj se shumë njerëz gjenden, të vetëdijshëm ose jo, në këtë situatë. E, megjithatë, besnikëria ndaj vetes është një kushtëzim i nevojshëm nëse duam që të kemi realizimin komplet dhe maksimal të ekzistencës sonë. Mendojmë për të gjitha kënaqësitë që marrim kur bëjmë diçka me vullnetin maksimal, apo kur ndihemi të lirë të shprehim mendimin, pa pasur frikën e gjykimit të të tjerëve. Të jesh vetvetja, do të thotë të jesh unik dhe të ndihesh i çlirët t’i tregosh të gjithë botës këtë unicitet.

Si të jeni vetvetja?

Njihni veten

Motoja “njihni veten” ishte e përhapur edhe në Greqinë e Lashtë, siç tregon shkrimi në tempullin e Orakullit të Delfit. Njohja e vetvetes është shtylla e të gjitha virtyteve dhe hapi i parë i rëndësishëm që duhet të bëni nëse dëshironi gjithmonë në mënyrë autentike. Nuk mund të jeni vetvetja nëse nuk dini sesi jeni. Pa njohjen e vetvetes, rrezikoni të jetoni një jetë ku asgjë nuk është origjinale. Ndaj është e nevojshme të dini se cili jeni, çfarë doni dhe cilat janë gjërat më të mira për ju, pa e lënë veten të ndikoheni nga asnjë kushtëzim i jashtëm.

Ndiqni instinktin

Askush nuk e di më mirë se ju për çfarë keni nevojë dhe ç’dëshironi realisht nga jeta. Të gjithë kemi një lloj “sinjalizuesi të brendshëm”, i cili në çdo rast e di se çfarë është më mirë për ne. Të ndiqni instinktin është thelbësore; sigurisht është gjithmonë e drejtë, në disa raste, të dëgjoni këshillat e miqve, familjarëve apo profesionistëve, por në fund duhet të vendosësh gjithmonë në bazë të intuitës. Të shkoni kundër intuitës është njësoj si të mohoni natyrën; por ato ju bëjnë një njeri të lumtur dhe të shpërblyer plotësisht. Ndaj, bëni gjithmonë atë që ju thotë zemra dhe bëni atë që është më e mira për ju. Vetëm në këtë mënyrë mund të jetosh një jetë në maksimum dhe, mbi të gjitha, sipas kushteve tuaja.

Shprehni personalitetin tuaj

Shumë njerëz mundohen me çdo kusht të imitojnë dikë, një të njohur, një mik, një familjar apo, më keq akoma, një personazh publik. Kjo sepse është më e thjeshtë të imitosh të tjerët se sa të punosh mbi zhvillimin e afirmimin e personalitetit personal. Kur mundohemi të imitojmë dikë, jo vetëm humbasim një sasi të madhe kohe, por rezultatet që marrim janë vetëm zhgënjim e frustrim, pasi nuk ia dalim të jemi ashtu siç duam. Nga ana tjetër, afirmimi i vetes, duke kultivuar një stil personal e jetuar sipas shijeve na bënë origjinalë e gjenuinë, si dhe më interesantë në sytë e të tjerëve. Shpalosni vetveten në çdo rast, shprehni talentin, kreativitetin tuaj dhe mos u fshihni pas një personaliteti që nuk ju përket, duke u munduar të jeni ai që në të vërtetë nuk jeni. Në të njëjtën mënyrë, shprehni me krenari edhe dobësitë e vulnerabilitetin tuaj. Mërzia, depresioni dhe mungesa e motivimit janë të gjitha pasoja të një personaliteti të shtypur.

Mos u shqetësoni për mendimin e të tjerëve

Gjykimi i të tjerëve ndonjëherë mund të rëndojë shumë. Sigurisht, njerëzit janë gjithmonë të gatshëm të shprehin mendimin e tyre (edhe nëse shpesh nuk u kërkohet) dhe të japin këshilla sesi duhet të silleni. Por, në çfarë mase të tjerët mund ta dinë atë që është më e mira për ju?Kur zgjedh një rrugë, atë që mendon se është e duhura, mendimet e të tjerëve pak rëndësi kanë, për të mos thënë fare. Për të qenë vetvetja është e rëndësishme të besoni në zgjedhjet tuaja dhe të mos i hyni një rruge vetëm për të mos zhgënjyer njerëzit që janë pranë jush. Jini të sigurt për veten, për aftësitë tuaja dhe talentin që keni. Braktisni të gjitha pasiguritë që ju transmetojnë të tjerët. Jini krenarë për atë që jeni dhe për udhën që keni nisur të bëni. Vetëm kjo ju lejon të jetoni mirë, pa pasur peshën shtypëse se çfarë të tjerët mendojnë për ju.

Jini origjinalë

Në një shoqëri ku pjesa më e madhe e njerëzve kanë tendencën të uniformohen me masën, origjinaliteti është virtyti tashmë pothuajse i rrallë. Shumë shpesh të jemi origjinalë është një çështje kurajoje, sepse do të thotë të dallohemi e të diferencohemi nga të tjerët, të jemi të ekspozuar më shumë ndaj gjykimeve të tyre. Me shumë gjasa, për ju është më e thjeshtë të qëndroni të fshehur në zonën e komfortit që keni ndërtuar rreth e qark vetesdhe në të cilën jeni të padallueshëm, por jeni të sigurt se e gjitha kjo ju bën të lumtur? Të jeni origjinalë, veç të tjerash, do të thotë edhe të ekspozoheni dhe të rrezikoni, sepse të jesh “delja e zezë” jo gjithmonë shihet me sy të mirë dhe është për këtë arsye që rrezikoni të përfshiheni për shkak të “diversitetit”. Po a është realisht e rrezikshme kjo gjë? Më e rrezikshme në fakt, është të ndrydhni kreativitetin tuaj, vetëm nga frika se mos nuk ju kuptojnë dhe ju keqgjykojnë. Nëse hedh shikimin rreth e qark, mund të vini re që njerëzit që kanë pasur kurajën të diferencohen, janë ata që në rrjedhën e kohës kanë marrë edhe më shumë kënaqësi nga jeta, sepse kanë mundur të shprehin deri në fund atë potencial kreativ, që shumë nuk kanë pasur kurajon ta shfaqin.

Mendoni me kokën tuaj

Shumë njerëz nuk janë të mësuar të mendojnë vetë dhe të vënë në dyshim ato që shohin, lexojnë apo dëgjojnë. Kështu, shpesh njerëzit pranojnë verbërisht çdo gjë pa pasur një mendim të vetin. Të keni një mendim personal dhe të keni një qëndrim tuajin, është thelbësore për të qenë vetvetja. Kush mendon me kokën e vet ka aftësinë që t’i shohë gjërat nën këndvështrime të ndryshme dhe të ndryshojë prospektivën, të kërkojë zgjidhje të tjera, të vlerësojë nëse për çdo gjë ekziston një tjetër mundësi, një alternativë më efikase.

Jini të sinqertë

Për të qenë vetvetja, nuk ka nevojë të tradhtoni mendimet, por t’i shprehni gjithmonë lirshëm dhe me ndeshmërinë më të madhe. Kjo do të thotë, të jeni gjithmonë të sinqertë në thëniet tuaja dhe të mos fshiheni asnjëherë pas gënjeshtrave për t’u dukur më mirë në sytë e të tjerëve. Shumë shpesh kemi tendencën të gënjejmë edhe për mirësjellje, pasi mbase kemi frikë të ofendojmë dikë. Sinqeriteti vlerësohet gjithmonë. Mos kini frikë të jeni vetvetja dhe të thoni atë që mendoni edhe kur të tjerët mund të kenë mendim të kundërt nga i juaji. Të jeni të sinqertë me të tjerët është thelbësore, por të jeni me veten tuaj, është edhe më e rëndësishme. Mundohuni të jeni gjithmonë objektivë dhe realistë në atë që bëni dhe mendoni. Duke u fshehur pas iluzioneve e justifikimeve, nuk do të mund të jeni asnjëherë vetvetja. Të vendosni të jeni vetvetja, ashtu si në të gjitha ndryshimet e tjera të jetës, kërkon të bëni zgjedhje të vetëdijshme, por edhe të keni kurajë të madhe. Në këndvështrimin personal, shpërblimi do të jetë shumë i kënaqshëm.

(Kosova Sot Online)