Pse kjo maskë në kushtet e shtëpisë është perfekte për flokët tuaj

  • 09 December 2019 - 08:47
Pse kjo maskë në kushtet e shtëpisë është perfekte për flokët tuaj

Vaji i ullirit është ndër të rrallët që depërton thellë në rrënjën e flokëve dhe i forcon ata. Kurse e verdha e vezës është e pasur me yndyrna dhe proteina, të cilat u japin shkëlqim flokëve. Përgatitja e një maske me vaj ulliri dhe të verdhë veze është perfekte, pasi realizohet në kushtet e shtëpisë, nuk kushton, nuk ka përbërës të dëmshëm, është natyrale, ka efekt dhe i bën flokët të duken më të shëndetshëm.

Si të realizoni këtë maskë flokësh?

Mos e teproni me sasinë e vajit të ullirit. Ju mjaftojnë vetëm dy lugë gjelle. Ngroheni vajin e ullirit, shtoni të verdhën e vezës dhe përziejeni derisa të bëhet homogjene. Nëse nuk e duroni dot erën e vezës, shtoni pak vaj eterik.

Shpërndajeni në mënyrë të barabartë nëpër flokë dhe mbajeni të paktën për dy orë. Për më shumë efekt, gjatë kohës që i keni lyer flokët me masën e përgatitur, mbështillini me kapuç dushi ose me një qese dhe ngrohini pak me tharësen e flokëve. Lajini flokët me shampo dhe ujë të bollshëm dhe vendosni balsam.

(Kosova Sot Online)