Trupi yt flet, andaj dëgjoje!

  • 07 February 2020 - 08:53
Trupi yt flet, andaj dëgjoje!

Shkencëtari Candace Pert, autori i “Molecules of emotion” (Molekulat e emocionit), që ka zbuluar ekzistencën e endorfinave në fillim të viteve `80 të shekullit të kaluar, shkruan: “Mendja jote ndodhet në çdo qelizë të trupit”.

Rrjedhimisht, edhe trupi flet gjuhën e mendjes, jep sinjale në emër të saj. Në jetën e përditshme, ne u kushtojmë vëmendje kryesisht sinjaleve që lidhen me gjendjen tonë shëndetësore: ethe, dhimbje, pagjumësi, këputje, marrje mendsh, të vjella, hemorragji të ndryshme, mungesë dëshire për të punuar etj. etj.

Por, të vëmendshëm ndaj psikanalizës frojdiane, surrealistët kanë dhënë, qysh para gati njëqind vjetësh, një përkufizim shumë të thjeshtë, por interesant të shpirtit: “Shpirti është trupi”, çka përforcon këndvështrimin e Candace Pertit.

Ky trup, i yni, të cilit nuk ia vëmë kurdoherë veshin, na flet pa na thënë paraprakisht “Dëgjomëni”, pra, i takon mendjes, më saktë vetëdijes sonë, ta dëgjojë trupin dhe jo e kundërta, ta dëgjojë atë dhe të zbërthejë deri edhe gjestet e tij më të vogla, që janë kaq të ngarkuara me domethënie, me sinjale që na vijnë veçanërisht nga nënvetëdija.

Në këtë kuadër, një interes të madh për psikologët paraqesin librat e francezit Joseph Messinger, i cili ka botuar, nga viti 1995 deri në 2009, afro 15 libra mbi gjestet tona dhe kuptimin e tyre të fshehtë, midis të cilëve “Le langage psy du corps” (Gjuha psikologjike e trupit), “Ces gestes qui vous trahissent” (Këto gjeste që ju tradhtojnë), “Les gestes des politiques” (Gjestet e politikanëve) dhe “Le sexe des gestes” (Gjinia e gjesteve).

Në njërin prej këtyre librave prej më se 450 faqesh, “Ces gestes qui vous trahissent” (2005), me 350 000 kopje të shitura në Francë, dhe që nis pikërisht me thënien e lartpërmendur të Candace Pert-it, Joseph Messinger-i hedh dritë mbi kuptimin e fshehtë të gjesteve që bëjmë me çdo pjesë të kokës dhe të trupit, deri, për shembull, te mënyra se si ulemi, si i kryqëzojmë këmbët, madje edhe si i krehim flokët: pa vijë fare, me vijë në mes, majtas ose djathtas. Gjithçka te gjestet tona edhe më të përditshme, sipas këtij autori, shpreh qëndrimin tonë ndaj të tjerëve ose ndaj mjedisit që na rrethon, pra mënyrën se si reagojmë në marrëdhëniet që ndërtojmë me individin dhe shoqërinë.

Por gjuha e trupit më duket veçanërisht interesante kur kemi të bëjmë me marrëdhënie dashurie. Shikoni tek ecën rrugës një djalë me një vajzë, le të themi të dy gjimnazistë; ata mund të mos flasin, mund të mos e shohin në sy njëri-tjetrin, por nëse trupat e tyre herë pas here çiken, qoftë edhe lehtë, ose përplasen butë, dhe pastaj, vetvetiu, ata shkëmbejnë ndonjë vështrim të ndrojtur, midis tyre po lind dashuria, pa fjalë, e pasigurt fillimisht, por, gjithsesi, po lind. Dëgjoje, pra, trupin tënd, ai flet edhe kur ti hesht!

(Kosova Sot Online)