Dita Ndërkombëtare e Gruas, çfarë simbolizon 8 Marsi dhe pse ngatërrohet me festën e nënës

  • 08 March 2020 - 11:20
Dita Ndërkombëtare e Gruas, çfarë simbolizon 8 Marsi dhe pse ngatërrohet me festën e nënës

Prej disa vitesh tashmë, në Kosovë “8 Marsi” festohet si dita e nënës por në fakt kjo ditë është “Dita Ndërkombëtare e Gruas”.  E parë në këtë këndvështrim, ajo mund të festohet për të gjitha gratë dhe vajzat në tërësi, duke patur të drejtën që secila prej tyre, të marrë një urim për këtë ditë. Mes protestash, apo momentesh festive, një gjë është e sigurt: Që në këtë ditë, asnjë grua nuk kalon pa e kujtuar si një moment dedikimi ndaj vetes e natyrisht, edhe e të tjerëve ndaj saj.

8 Mars 1857 – Gratë punëtore të një fabrike tekstili dhe veshjeje të Nju Jorkut – SHBA pas shumë vuajtjesh për trajtimin dhe pagat e ulta dhe shfrytëzimit të egër nga punëdhënësi u mblodhën dhe shpallen një grevë në rrugët e kryeqytetit amerikan ku u keqtrajtuan nga policia që ndërhyri për t`i shpërndarë. Por ato nuk u dorëzuan pasi 2 vjet më vonë, në Mars të 1859-ës u mblodhën dhe krijuan sindikatën e tyre për mbrojtjen e të drejtave në punë.

22 Nëntor 1908 – 15 Shkurt 1909 – 20 mijë gra njujorkeze protestuan duke bllokuar rrugët e Nju Jorkut për 3 muaj me radhë nga ku dhe mori emrin “Dita e Gruas”. Kjo protestë shënoi dhe fillimin e mobilizimit të grave në sindikata dhe kërkim të të drejtave të tyre në punë.

26 – 27 Gusht 1910 – Kopenhagen në Folkets Hus (shtëpia e popullit) u mbajt mbledhja Socialiste Ndërkombëtare ku u vendos që ‘Dita e Gruas’ të festohej në të gjithë botën, për nder të lëvizjes së grave për të drejtat e e tyre dhe për ti mbështetur gratë në njohjen e statusit të tyre në shoqëri. Në këtë konferencë morën pjesë 100 gra, nga 17 vende të botës, midis tyre dhe tre gratë e para të cilat u zgjodhën si pjesëtare në parlamentin e Finlandës.

19 Mars 1911 – Si rrjedhojë e vendimit të marrë në Kopenhagën, një vit më pas ‘Dita e Gruas’ u vendos të festohej për herë të parë në 19 mars, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, ku miliona burra dhe gra morën pjesë në organizimet kushtuar kësaj dite. Gratë kërkonin të drejtën e votimit, të qeverisjes, të punës, të edukimit si dhe ndalimin e diskriminimit në punë.

25 Mars 1911 – Shpërthen një zjarr i fuqishëm në katet e fundit të Pallatit “Asch” e ” Triangle Ëaist Company” ku gjendej fabrika e tekstilit, nga ku humbën jetën 146 punëtorë ku shumica ishin gra emigrante italiane dhe hebrej europian që kishin emigruar në SHBA për një jetë më të mirë.

Simboli i Mimozës

8 Mars 1946 – Festohet në të gjithë Italinë për herë të parë Dita e Gruas ku dhe për herë të parë shfaqet simboli i lule mimozës (mimoza e artë) e cila lulëzon pikërisht në ditët e para të Marsit. Ideatoret e kësaj simbolike kaq domëthënëse ishin Teresa Noce, Rita Montagnana e di Teresa Mattei. Mimoza mbetet simboli i Ditës së Gruas vetëm në Itali dhe Rusi.

Nëntor 1977 – Kombet e bashkuara(UN) njohën botërisht 8-Marsin si ‘Diten e Gruas’ dhe ftuan të gjithë vendet anëtare që kjo ditë të shndërrohet si kontribute për të drejtat dhe dinjitetit të gruas dhe kushteve të saj.

Që prej asaj dite “Dita Ndërkombëtare e Gruas” mori dimensione të tjera, dhe sot festohet në mbi 100 vende të botës. Në këtë dite reflektohet mbi kurajon dhe veprimet e grave të thjeshta të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në historinë e të drejtave të grave.

(Kosova Sot Online)