Këshilla që ndikojnë në shëndetin e flokëve tuaj

  • E.K /
  • 23 November 2020 - 13:49
Këshilla që ndikojnë në shëndetin e flokëve tuaj

Pastrimi është pa dyshim trajtimi më i shpeshtë që u bëhet flokëve dhe si rrjedhojë, pastrimi i gabuar i tyre mund të ketë ndikim të madh në shëndetin dhe dukjen e tyre. Si rrjedhojë, fakti që pasi të dilni nga salloni i bukurisë flokët tuaj duken më të butë se zakonisht nuk është rastësi, pasi që stilistet janë të trajnuara që t'i pastrojnë flokët në mënyrën e duhur. Në fakt, pastrimi i gabuar i flokëve mund t'i shndërrojë ata nga flokë të shëndoshë e me shkëlqim, në flokë të dëmtuar e të brishtë. Më poshtë mund t'i lexoni disa hapa të shpejtë, që janë përpiluar pas konsultave me një numër të madh të stilistëve të flokëve, të cilët kanë folur për gabimet më të shpeshta që bëhen gjatë pastrimit të flokëve.

SHMANGENI UJIN E NXEHTË

Shumica e femrave i pastrojnë flokët e tyre çdo ditë, andaj është shumë e rëndësishme që të bëhet e ditur që nuk është e nevojshme të trajtohen me shampon qimet nga fillimi deri në fund. Mënyra më e përshtatshme për pastrimin e flokëve është që ta përqendroni shamponin në lëkurën e kokës, ndërsa, duke e larguar shamponin, pjesa tjetër e flokëve do të pastrohet vetë. Një gjë tjetër e rëndësishme është që ta shmangni ujin e nxehtë, sidomos nëse i pastroni flokët çdo ditë. Uji i nxehtë largon yndyrën natyrale nga lëkura e kokës dhe si rrjedhojë flokët tuaj mbesin të brishtë dhe pa shkëlqim.

MOS E PËRDORNI VETËM NJË SHAMPON

Ndonëse mund të keni dëgjuar shpeshherë që pastrimi i flokëve me shamponin e njëjtë është shumë i rëndësishëm për shëndetin e tyre, stilistët e pretendojnë të kundërtën. Ata, ndonëse kanë thënë që nuk ka asgjë të keqe nga pastrimi i flokëve me të njëjtin shampon, kanë shtuar që është shumë e rëndësishme që të paktën një herë në javë flokët të pastrohen me një lloj shamponi të veçantë, që është enkas i prodhuar për largimin e qelizave të vdekura nga lëkura e kokës. Përveç përdorimit të të paktën dy shamponëve, stilistët profesionistë rekomandojnë edhe përdorimin e shkëlqyesit të flokëve.

MOS I THANI FLOKËT ME PESHQIR

Ndonëse ekziston tendenca për t'i tharë flokët nëpërmjet përdorimit të peshqirit, të gjithë stilistët e flokëve, njëzëri, rekomandojnë shmangien e një procesi të tillë. Gjatë tharjes së flokëve me peshqir flokët dëmtohen shumë, për shkak të faktit që qimet janë në kontakt me njëra-tjetrën dhe kanë presion nga duart. Për më tepër, rekomandohet që pak kohë pasi t'i keni pastruar flokët t'i mos i lidhni ato me karficë që i mbajnë flokët shtrëngueshëm.

(Kosova Sot Online)