Çlirimi shpirtëror i Rexhep Ferrit, i shkrirë në pikturat e tij
P a dyshim, Rexhep Ferri është individualitet i lartë i arteve pamore. Dhe, s'bashku me Muslim Mulliqin, Tahir Emrën, Gjelosh Gjokajn, Engjëll Berishën, Xhevdet Xhafën i vunë themelet e arteve pamore në Kosovë. Andaj, me punë të palodhshme e me kreativitet të lartë i takon individualiteteve të larta pamore jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Ferri gjithë herë me pikturën e tij është ballafaquar me realitetin që e rrethon. Andaj, piktura e tij është individualiste dhe me origjinalitet të lartë artistik. Piktura e tij nuk qëndron, as në shprehjen konkrete, por as në atë abstrakte; ajo qëndron në mes ireales dhe imagjinatës, me një figurshmëri asociative e analizuar skajshmërisht bukur. Ajo përherë e ka tendencën e një gjurmimi drejt labirinteve të larta kërkimore. Ky origjinalitet është i tij dhe përherë mbetet vetëm i tij. Piktori Ferri, para do ditësh, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e organizoi ekspozitën individuale, për nder të 80- vjetorit të lindjes dhe 50- vjetorit të krijimtarisë së bujshme, ku tregoi kreativitet të lartë dhe shprehje individualiste. Zaten, ky prezantim individual na solli diçka të re, duke i prezantuar edhe disa tapiseri, të punuara kohët e fundit, të cilat ishin vazhdimësi e kreativitetit të tij piktural. Dhe, kjo risi, paksa e bëri edhe më interesant prezantimin individual të tij. Ai gjithnjë ishte aktiv, si në ekspozita individuale, po ashtu edhe në ato kolektive. Dhe, gjithnjë, e shpërfaqi personalitetin dhe individualitetin e tij. Veprat e tij u ekspozuan edhe në Beograd, Novi- Sad, Ulqin, Tiranë, Sarajevë, Paris, Munih, Stamboll, Aleksandri dhe për punën e suksesshme u shpërblye me shumë shpërblime e mirënjohje, të cilat dendur treguan kreativitetin e lartë sensitiv e përmbajtësor.
NË KREATIVITETIN E TIJ DENDUR SHPËRFAQET EPILOGU I PRITJES
Në veprat e piktorit sensitiv Rexhep Ferri shohim përherë figura pa kokë, gjysmëkoke, me trup e gjymtyrë të skematizuara (pa dorë ose këmbë), janë të shfaqura si të mbyllura në ekzistencën e tyre. Kjo soditje, kjo dhembje, kjo pritje dhe kjo mbyllje në agsholin e vetmisë, është shpërfaqje origjinale me kreativitet të personalizuar të piktorit Rexhep Ferri. Zaten personalizimi i piktorit Ferri në veprat e prezantuara është i dukshëm dhe kjo e arrirë është arritja më e lartë e piktorit individualist dhe tejet domethënë të tij. Kjo shprehje "ferriane" është e tij dhe përherë mbetet vetëm e tij. "Rexhep Ferri kurrë nuk e ka pikturuar dhimbjen, por vetëm klithmën, e cila tërë pëlhurën apo vizatimin e shndërron në pikëpyetje, apo në thonjëza, në presje, apo në pikëçuditëse; por kurrë në pikë". (A.Pashku). Ndaj, duke i shikuar më dendur veprat e piktorit Ferri, dhe këtë bredhrisje të tij shpirtërore, na nxisin që të mendojmë, por besa edhe t'i bëjmë disa pyetje; A thua, këto personazhe të shpërfaqura, nga vijnë, ku shkojnë dhe, a thua çfarë mendojnë? Pse vallë siluetat (figurat) e tij, gjithherë janë në pritje, çfarë presin ato dhe, a mos vallë, kjo pritje e tyre është e pafund…? Apo mos vallë, në ndonjërën prej tyre është ai vetë? Këto edhe shumë pyetje të tjera mund të bëhen duke i shikuar veprat e piktorit Ferri. Gjithsesi në veprat e tij është e shpërfaqur me ndjeshmëria e lartë. Ndaj, Rexhep Ferri me plotni e ruajti personalitetin dhe universionalitetin e vet në shprehjen artistike. Mendoj se kjo është arritja më e larte e piktorit Ferri. Përgjithësisht, në veprimtarinë e piktorit Ferri, pritja është njëra prej temave kryesore të tij. Dhe, le ta kujtojmë këtë pyetje, si "Duke pritur Godonë " e Samuel Beketit. Ndaj këtë pyetje e shpërfaq edhe piktori Ferri , duke e baraspeshuar me idenë, se a mos vallë është pritje e kotë? Ndaj, kjo pritje e kotë e Ferrit është shpërfaqur bukur edhe në veprën e tij; "Duke pritur Godonë" (2005). Ndaj edhe thënia e piktorit; "Përpiqem ta zbuloj njeriun, ta arrij, ta jap thelbin e tij" është një thënie logjike dhe të nxit shumë të mendosh për përmbajtjen e tij. Ai dhe vetëm ai e ka këtë shpërfaqje "beketjane" e cila e shtie vizitorin që të mendojë shumë gjatë, gjatë analizave të veprave të tij.
INDIVIDUALITET DHE ORIGJINALITET I SHPREHJES SENSITIVE E NDJESORE
Ky prezantim individual i piktorit Ferri tregoi edhe njëherë, se ai është një kërkues dhe një hulumtues i denjë i njeriut të tij, i momenteve të interesimit drejt labirintit individual të tij. Për të vizatimi është baza dhe pikënisja qenësore e pikturës. Ajo vijë e kërkuar dhe e përkufizuar bukur, për të gjetur lëvizjet e matura të figurës, soditjen e tij dhe dhembjen e lartë shpirtërore, forcën e vrapimit dhe gjymtyrët e këputura; që me kohë ishin gjithnjë idealet e larta dhe kreative të piktorit Ferri. Mendoj se e gjithë ekspozita e Rexhep Ferrit është një "legjendë" e re, në spektrin e shprehjes bashkëkohës, si një shpërfaqje e lartë e një intelektualizmi artistik që, gjithsesi, do të mbetet në historinë pamore, si një histori kërkimore, me shpërfaqje tejet origjinale. Zaten, kjo shpërfaqje, e pakompromis, idealizuese, e veçantë dhe tejet individualiste, e bënë përherë Ferrin, sa sensitiv e ndjesor, aq edhe shpërfaqës e përmbajtësor. Kjo shpërfaqje tejet idealizuese e detyron shikuesin, që të jetë i vëmendshëm në kuptimësinë e realizimit artistik. Kjo e bënë piktorin Ferri personifikues dhe shpërfaqës i origjinalitetit individual. Piktori Ferri, këto figura të paraqitura, përherë i "çliron" nga ky bumerang i pritjes dhe i vajtimit, por edhe nga imponimi surrogat, dhe, mjeshtërisht, këto personazhe i rrugëton drejt një vetëvendosje, duke i përcjellë mesazhet e veta si porosi drithëruese e shpirtërore. Ky labirint i kërkimit vetjak, është një bazament i fortë i piktorit Ferri, i cili përherë na përvetëson me kërkimet e tij dhe me shprehjen e tij tejet idealizuese e përmbajtësore. Kjo ekspozitë individuale e Akademikut tonë, e organizuar për nder të 80- vjetorit të lindjes dhe 50- vjetorit të krijimtarisë së bujshme të tij, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ishte pa dyshim një ngjarje madhore artistike dhe estetike. Ajo, sigurisht, do të mbetet gjatë në mbamendjen tonë, si një prezantim dinjitoz, idealizues e konkretizues dhe një prezantim fare përmbajtësor.
(Kosova Sot)