Nga skriptat në sllajde

  • 27 April 2019 - 08:58
Nga skriptat në sllajde

Në shumë aspekte, teknologjia e shton leximin

Studentët kanë kaluar nga skriptat e holla në sllajde estetike. Sllajdet i kanë bërë përtacë edhe studentët, edhe profesorët. Një autor thoshte se, kriza e leximit është sepse nuk ka kohë të mjaftueshme, shumë të lodhur, përvoja me shumë platforma multimediale dhe ndër të tjerash nuk kemi krijuar shprehi

Në kohën kur mungon sasia e leximit (për kohë), nuk po kemi mundësi të flasim fare për cilësi. Në kushte normale do të duhej më shumë se të flisnim veç për atë se sa lexojmë, do të duhej të flisnim edhe se si lexojmë. Të lexosh pa të menduar kritik është po aq keq sa të mos lexosh fare. Sidoqoftë, ashtu si dikur që mungonte shkollimi i shumicës së popullsisë kosovare e kishim shumë etje për arsimim, nuk kishim luksin të diskutonim për cilësinë e arsimit, e në kohën e sotme, flasim për cilësi të arsimit, meqë kemi edhe shumë sasi apo numër të masiv të atyre që studiojnë.

Për shkak se në ditët e vetëdijesimit për librin dhe të drejtat autoriale, është mjaft e rëndësishme t’i kthehemi çështjes së librit e leximit, ne do të merremi me një fenomen specifik. Pse kjo krizë leximi, e sidomos te nxënësit, studentët dhe profesorët?!

Në një faqe edukimi, një autor me emrin Terry Heick, me një titull pak a shumë të ngjashëm që na frymëzoi edhe ne për ta kontekstualizuar për Kosovën: “12 arsyet e përbashkëta që studentët nuk lexojnë dhe çfarë mund të bëni për të”, numëron këto arsye pse nxënësit pse nuk lexojnë:

Nuk kanë gjetur librin apo llojin e librit të duhur.

Ata kanë nevojë për strategji të përgjithshme të leximit, të cilat mund të kthehen nga koha në kohë.

Ata kanë nevojë për strategji specifike të leximit të cilat mund t’i zgjedhin vetvetiu në bazë të kontekstit.

Leximi mund të jetë frikësues.

Hapësira e leximit nuk është e duhur.

Ata kanë nevojë për një arsye për të lexuar.

Ata kanë shumë gjëra për të bërë… Është e vështirë të lexosh nëse ke një milion gjëra për të bërë…

Nuk është shprehi apo zakon…Leximi është një muskul. Sa më shumë që lexojnë, aq më shumë do të duan të lexojnë…

Ata kanë një fond fjalësh të kufizuar.

10. Ata kanë probleme me vetëdijesimin fonemik se si fjalët përbëhen nga tingujt, ose fonemat…

11. Ata luftojnë me identitetin e tyre si një “lexues”.

12. Ata duhet të njohin të gjitha gjërat e pabesueshme rreth temave të leximit, njohurive, zhanreve, autorëve etj.” (Heick, T. (16 shtator 2018). 12 arsyet e zakonshme që nxënësit nuk lexojnë-çfarë mund të bëni rreth kësaj. Marrë nga https://www.teachthought.com/literacy/12-common-reasons-students-dont-read-what-you-can-do-about-it/)

Pse studentët dhe profesorët nuk po lexojnë?!

Është brengosëse kur studentët ankohen për mbingarkesë leximi, edhe kur nuk e kanë as edhe një libër të vetëm (pjesë-pjesë, kapituj të veçantë!) për një provim final. Dikur lexohej me një libër, por pyetjet binin me fat: tërhiq tri pyetje – i dinit, merrnit notë maksimale, nuk i dinit, sërish duhej djersitur nga fillimi. Më pastaj, pas vitit 1999, përmes punim seminareve dhe shumë syllabuseve bashkëkohore, studentëve u kërkohej të lexonin disa libra nga literatura bazë dhe disa nga literaturë shtesë. Por rrallëherë ndodh të zbatohet kjo. Studentët nuk duan të ngarkohen me lexim, madje ankohen për mbingarkesë.

U duket shumë krejt libri. Ishte krijuar pas luftës një shprehi apo ves, por edhe rezultat i varfërisë në vend, ku u përhapën me shpejtësi fotokopjet e shtypi i disa skriptave të holla, përmbledhje ligjëratash, të cilat i mësonin studentët për ta kaluar provimin. Me kalimin e kohës, dolën shumë mjete të reja teknologjike në përdorimin për mësimdhënie dhe mësimnxënie, duke nxitur profesorët të përdornin sllajdet nga Power Point. Studentët ndonëse e kishin librin apo librat bazë për përfundimin me sukses të lëndës, filluan të mësonin vetëm sllajdet. Dikur filluan të ankohen për numrin e madh të sllajdeve. Për prezantime, pajtohemi: është tepruar me këto sllajde, qoftë për mënyrën e prezantimit në sallë, qoftë për mënyrën e përpilimit e dizajnimit të tyre. Për dy dekada, studentët kaluan nga skriptat në sllajde. Por fatkeqësisht, sllajdet kanë bërë përtacë jo vetëm studentët, por edhe profesorët.

Sllajdet janë bërë mjet i sigurisë, orientimit dhe mbështetjes për të mos lexuar aq, sakaq për të na kujtuar para audiencës se çfarë të flasim. Më pastaj, pas përsëritjeve të njëpasnjëshme, dikur edhe mbahen në mend, apo riprodhohen, sapo shihni me sy! Sllajdet janë fantastike nëse shfrytëzohen në mënyrë adekuate dhe profesionale. Ato janë shumë tërheqëse dhe mund të përdoren si mjete të konkretizimit. Një studim që kishim lexuar më parë, thoshte se sllajdet po i bëjnë studentët më përtacë, ndërsa për neve, përtacia po shtohet edhe për vetë mësimdhënësit.

Kriza e leximit dhe teknologjia

Në shumë aspekte, teknologjia e shton leximin. Nëse e shkruajmë një hipotezë se, vetmia shton gjasat për rritje të orëve të leximit apo dëshirës për lexim, atëherë nisur edhe nga hipoteza se me rritjen e efikasitetit teknologjik është rritur edhe vetmia, i bie se ka gjasa që teknologjia edhe në këtë dimension kundrimi, të ketë efekte pozitive në rritjen e kohës për lexim. Në aspektin tjetër, teknologjia të jep mundësi të pafundme për materiale të lexojmë, e të cilat nuk do të mund t’i kishim fizikisht pa këtë aparaturë. Në një aspekt po ashtu të rëndësishëm, teknologjia na ka mundësuar shumë: përzgjedhjen e asaj që dëshirojmë ta lexojmë.

Por si duket, teknologjia për shkak të një mundësie tjetër, e ka rrezikuar shkallën e lexueshmërisë: na ka ofruar platforma të ndryshme të argëtimit, relaksimit dhe për të pasur çfarë të bësh, gjë që nuk e krijon nevojë e domosdoshme për ta shfrytëzuar leximin si mjet për ta vrarë kohën.

Kriza e leximit edhe në shtetet e zhvilluara

Kemi përzgjedhur një hulumtim të bërë nga Qendra Hulumtuese “Pew” në SHBA, e cila pyeti amerikanët se sa lexojnë para tre vjetësh. Gjetjet kryesore të hulumtimit janë si në vijim: “Rreth një e katërta e të rriturve amerikanë (24%) thonë se nuk kanë lexuar një libër në tërësi ose pjesërisht gjatë vitit të kaluar, qoftë në formë të shtypur, elektronike ose audio. Kush janë këta jolexues librash?... Të rriturit me diplomë të shkollës së mesme ose më pak janë rreth pesë herë më shumë se të diplomuarit e kolegjit (37% vs 7%) për të raportuar që nuk lexojnë libra në asnjë format gjatë vitit të kaluar. Të rriturit hispanikë janë rreth dy herë më shumë se të bardhët (38% vs 20%) të raportojnë se nuk kanë lexuar një libër në 12 muajt e fundit.

Por ka dallime midis hispanikëve të lindur brenda dhe jashtë SHBA: Rreth gjysma (51%) e hispanikëve të lindur jashtë vendit raportojnë se nuk kanë lexuar një libër, krahasuar me 22% të hispanikëve të lindur në SHBA… Ka dallime modeste kur shikojmë në gjini dhe nëse njerëzit jetojnë në zona urbane, periferike ose rurale…” (Perrin, Andrew. (23 mars 2018). Who doesn’t read books in America? Marrë nga https://www.pewresearch.org/fact-tank/2018/03/23/who-doesnt-read-books-in-america/)

Dallime nuk janë vërejtur në aspektin rural apo urban, gjinor, por më shumë me bazë shkallën e arsimimit dhe tiparet etnike. Në Kosovë, ne vazhdojmë të karakterizohemi me mungesë të shumë studimeve serioze dhe disa të dhënave fare pak të besueshme nga një shikim i parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Le të shohim në vazhdim, se si Komuna e Lipjanit raporton më shumë biblioteka se sa Prizreni, ose Obiliqi, Dragashi, Kaçaniku…

Ndoshta është edhe kështu, por këtu më shumë besoj se gabimi është se si është raportuar nga drejtoritë komunale! Disa kanë raportuar biblioteka të fshatrave e shkollave, e disa komuna jo. Por për hulumtime, nëse bazohemi në këso të dhënash, mund të humbim besueshmërinë!

Statistikat e lexuesve në Kosovë

Gjatë vitit 2017, sipas raportit të fundit të publikuar në muajin tetor 2018, në Kosovë u regjistruan nga bibliotekat 158.176 lexues, ndërsa në vitin 2016 ishin 278.201 lexues. Sipas këtyre statistikave, Komuna e Prishtinës ka gjithsej 13 biblioteka, pasuar nga Gjilani me 8 biblioteka, Peja sikurse Mitrovica e Gjakova me nga 3 biblioteka; Ferizaj dhe Prizreni me nga 4 biblioteka, më pak se Lipjani, Obiliqi, Dragashi, Kaçaniku, Kamenica, Vushtrria… Kjo më duket pak e habitshme dhe e pabesueshme!

Sa i përket numrit të librave në biblioteka, është raportuar fondi prej 1.782.945 librash. Sa i përket numrit të lexuesve, udhëheq Prishtina, ndërsa me më së paku lexues prej 7 qyteteve të mëdha, prinë Peja. Gjakova me 2.300 lexues; Mitrovica me 1.666 lexues; Peja me 1.630 lexues; Prishtina me 112.909 lexues; Prizreni me 2.841 lexues; Ferizaj me 3.402 lexues…

Përmbyllje

Leximi është në krizë edhe në vendet e zhvilluara, edhe të pazhvilluara, por shtetet e fuqishme krijojnë mekanizma stimulimi për zhvillim profesional në një mënyrë apo tjetër. Fatkeqësia më e madhe është nëse raportohet për lexim në krizë nga dy shtresat më të thirrura për lexim, qoftë edhe për shkak të obligimeve nga natyra e studimit dhe punës: studentët dhe profesorët. Studentët kanë kaluar nga skriptat e holla në sllajde estetike. Sllajdet i kanë bërë përtacë edhe studentët, edhe profesorët. Një autor thoshte se, kriza e leximit është sepse nuk ka kohë të mjaftueshme, shumë të lodhur, përvoja me shumë platforma multimediale dhe ndër të tjerash nuk kemi krijuar shprehi.

Kishte të drejtë, sidomos me të fundit: rrallë shohim dike duke lexuar dhe ta thonë edhe vetë nxënësit, edhe studentët, edhe profesorët: na mbyti teknologjia, hiç s’po mund të lexojmë. Kur e raportojnë të gjithë, ju në fakt s’keni bërë hulumtim për ta ditur saktë, por kjo teknikë e të pyeturit dhe përvojat tona janë mjete hulumtimi. Diçka ka të vërtetë dhe nëse vetëm një e treta e kësaj është e saktë, atëherë kjo është për shqetësim, deri sa të na vënë usb-në me inteligjencën artificiale dhe leximi do të jetë nevojë e perënduar. Sa herë do të duam diçka, vetëm do ta klikojmë një sustë, apo do të na lidhin direkt në neurone! Ne do të evoluojmë sikurse po evoluon nevoja për lexim, ose do t’i kthehemi mënyrave tradicionale të jetesës për ta refuzuar teknologjinë!!!

(Kosova Sot)