Vdes zëri i “Minnie Mouse”, Russi Taylor

  • 28 July 2019 - 08:51
Vdes zëri i “Minnie Mouse”, Russi Taylor

Ka vdekur në moshën 75-vjeçare aktorja Russi Taylor, e cila e luante zërin e personazhit shumë të dashur për fëmijë në film të animuar, “Minnie Mouse”.

Kompania “Walt Disney” njoftoi se ajo vdiq në Glendale të Kalifornisë. Që nga viti 1986, Taylor e ka dhuruar zërin e saj për personazhin e famshëm, Minnie Mouse, e cila në film është partnerja e personazhit tjetër të famshëm, Mickey Mouse.

Kjo aktore gjithashtu ka luajtur role me zë edhe në filmin tjetër të animuar, “The Simpsons”. Njësoj si në film të animuar, ajo ishte e martuar me aktorin Wayne Allwine, i cili ishte zëri i personazhit Mickey Mouse deri në vdekjen e tij, më 2009.

Bob Iger, shef i kompanisë “Disney”, e ka vlerësuar lart punën e aktores tashmë të ndjerë. “Për më shumë se 30 vjet, Minnie dhe Russi kanë punuar së bashku për t’i argëtuar miliona njerëz në mbarë botën. Ky bashkëpunim e bëri Minnie-n ikonë botërore dhe Russi-n legjendë të Disney-t, e cila duhet nga të gjithë”, tha ai.

Taylor është lindur më 4 maj 1944 në Massachusetts të Shteteve të Bashkuara. Ajo ishte përzgjedhur nga 200 kandidatë për ta luajtur rolin e Minnie-t në një audicion të vitit 1986.

Ajo ishte nderuar me titullin “Legjenda e Disney-t” në vitin 2008. Në atë kohë, Taylor kishte thënë se shpreson që kushdo që e zëvendëson atë në këtë rol ta dojë këtë karakter aq shumë sa e ka dashur ajo, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)