'Ansambli i këngëve e valleve shqipe në R.M.V' ka gjetur formën e funksionimit dhe në këto ditë të vështira

  • 17 March 2020 - 19:26
'Ansambli i këngëve e valleve shqipe në R.M.V' ka gjetur formën e funksionimit dhe në këto ditë të vështira

Për shkak të gjendjes dhe rrethanave të jashtëzakonshme në të cilën po kalon pothuajse e tërë bota, edhe Maqedonia e Veriut, Ansambli Nacional i këngëve e valleve si institucion i ri por shumë i suksesshëm duket se ka gjetur formulën e funksionimit edhe në këto rrethana. Drejtori z.Tolaj ka vendosur që të jetë çdo ditë prezent dhe kujdestar në punë për nevojat e institucionit ndërkaq administrata do punojë me ndërrime, sipas nevojës për sektoret përkatëse, qofshin ato të sektorit ekonomik, juridik, organizativ, teknik apo ndërkombëtar. Zyrtari për përkthime do të jetë në shërbim të institucionit online tërë kohës, bën të ditur Tolaj.

I pyetur se përse ka vendosur që ai të jetë tërë kohës në punë tha “ ditët e vështira si këto na vënë para përgjegjësive individuale, familjare e institucionale andaj duke mbajtur përgjegjësi për institucionin por dhe për çdo të punësuar dhe njëkohësisht duke qenë i vetëdijshëm për situatën në të cilën po kalojmë, kam vendosur që unë të jem çdo ditë në punë dhe në shërbim të institucionit dhe punëtorëve”.

Ai tutje bën të ditur se teknologjia u mundëson takimet dhe punën online. Kështu, sektori i vallëzimit do ketë takim online çdo ditë nga ora 10:00 për të vazhduar pastaj stërvitjet individuale dhe detyrat për vallet përkatëse kurse formacioni vokal dhe orkestral do të takohen poashtu online në ora 12:00 ku do bëhen lidhjet muzikore dhe do punohet programin me këngët e reja. Ky plan i punës sado që nuk mund ta plotësojë një ditë pune, do mundësojë mbajtjen e kondicionit dhe minimalizimin e humbjeve në avancim të programit që duhet realizuar duke marrë parasysh se ruajtja e shëndetit kolektiv mbetet priotitet dhe artistët edhe për një kohë do të duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi.- përfundoi Tolaj.

Image


(Kosova Sot Online)