“Jo, jo nuk ka pse të të vij keq zemër, është në rregull”

  • A.P /
  • 25 November 2021 - 23:32
“Jo, jo nuk ka pse të të vij keq zemër, është në rregull”

“Jo, jo nuk ka pse të të vij keq zemër, është në rregull.”, - i thashë. Trupi i saj shungullonte përsëri. E mbaja fortë me dy duart. E puthja në buzë vazhdimisht. Murmurisja në mënyrë të paqartë fjalë që kërkonin ndjesë dhe e ngushëlloja. “Është... në... rregull....” Doja t’ia hiqja nga mendja mendimet e hidhura. ‘Do një kek?”, - i thashë. Maria buzëqeshi. “Po.”, - tha. U desh pak të ndalonte së qari. Qeshëm duke ngrënë kek. Ishte kek i butë, në brendësi i lyer me çokollatë. Buzët e saj u lyen me çokollatë, u bën edhe më të ëmbla.

Ëmbëlsia nuk vinte nga sheqeri, por nga shpirti dhe dashuria. “Nuk do shkoj në Itali.”, - murmuriste ajo, duke qeshur. “Iu bashkova Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më saktë luftës në Kosovë.”, - i thashë. E qeshura ndaloi. Sikur dallgët e çmendura të detit të qetësohen përnjëherë nga ndonjë magjistar, ashtu reagoi fytyra e Marisë. “Çfarë, përse duhej ta bëje këtë?”, - e ngriti pak zërin. “Sepse isha i dëshpëruar, zemër”. “Dhe iu bashkove UÇK-së?!”, - më tha ajo. U krijua një pauzë. “Ndoshta është më mirë... unë mund të largohem, dhe ti mund të shkosh në shkollë në Itali.”, - i thashë. “Nuk do të shkoj në shkollë në Itali.”, - ma ktheu. “Mendoja se e dashuroje Italinë”, - i thashë. “Jo arsyeja e vetme përse doja të shkoja në Itali ishte se doja të largohesha nga ti, sepse të dashuroj.”, - më tha Maria...", fragment nga romani "Ti" i Ilir Muharremit.


(Kosova Sot Online)