
Skënder Hasi: Drilon Rama do ta realizojë qëllimin që i ka vendosur vetes, për t'u bërë kampion europian dhe botëror

INTERVISTË ME KËNGËTARIN SKËNDER HASI
Këngëtari i njohur muzikës epike shqipe, Skënder Hasi, me një karrierë të pasur dhe me kontribute të çmuara për kulturën shqiptare, në këtë intervistë për gazetën 'Kosova Sot" , na ka sjellë një pasqyrë të thellë të angazhimit të tij si këngëtar. Po ashtu, ai ndan me ne eksperiencat më të paharruara nga udhëtimet e tij si artist, përkushtimin për mbështetje të rinisë dhe mendimin e tij rreth zhvillimeve aktuale në muzikën shqipe. Ndërkohë, në këtë intervistë ai gjithashtu përmend me krenari nipin e tij, Drilon Ramën, dhe përkushtimin e tij në boks dhe në reality show.
Kënga e fundit që keni publikuar me videoklip është "Autokton jemi ne", sa jeni ndarë i kënaqur me realizimin e këngës në tërësi?
Skënder Hasi: Për realizimin e këngës sime më të re "AUTOKTON JEMI", kemi punuar shumë gjatë. Tekstin dhe muzikën e kam bërë unë, orkestrimin e ka bërë Fatos Canolli, ndërsa videoklipin Donart Thaqi. Videoklipi është realizuar kryesisht në Krujë dhe Prekaz, bazuar në temën e këngës që ka si brumë, qëndresën e popullit shqiptar den baba den në trojet tona etnike, legjendar pas legjendarit, me kryeheronjtë tanë, Skënderbeun dhe Adem Jasharin, si dhe fushëbetejat emblemë të Shqiptarisë, Krujën dhe Prekazin, me flamurin tonë kombëtar kuq e zi, në një Shqipëri etnike. Kjo këngë është mirëpritur shumë mirë nga artdashësit e muzikës epike dhe është vlerësuar lart nga krijuesit e këtij zhanri. Kjo këngë do të jetë përjetësisht në preferencën e këngëve më të dashura epike.

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot keni nostalgji?
Skënder Hasi: Jam rritur në një familje me mirëqenie modeste, ku si djalë hasreti, kam qenë i përkëdhelur jo vetëm nga familjarët e mi, por edhe nga të afërmit dhe gjithë farefisi jonë. Kujtimet e shumta të fëmijërisë sjellin gjithmonë nostalgji, sidomos kur shohim fotot e kohës, si dhe kur evokojmë kujtime me familjarët dhe moshatarët e mi. Po e veçoj dashurinë time ndaj këngës dhe futbollit dhe kurrë nuk e harroj që baba im me këmbëngulësi nuk më lejoi të merrem me futboll, edhe pse kisha talent dhe pata filluar ushtrimet në KF "Feronikeli". Kjo më hapi mundësinë që të merrem me këngën, ku qysh nga klasa e pestë në shkollën fillore isha anëtari më i ri i Ansamblit "Shote Galica" dhe me dekada kam udhëtuar me këngën në qindra e qindra koncerte në Kosovë, Shqipëri, Europë dhe Amerikë!

Sipas jush, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?
Skënder Hasi: Mendoj që, përgjithësisht, krijuesit dhe artistët duhet të punojnë më shumë në krijimin e këngëve të mirëfillta shqipe dhe vet audienca duhet t’i dëgjojë këto këngë të bukura të muzikës lirike, epike dhe muzikës së lehtë. Fatkeqësisht, koha e platformave digjitale po bën të vetën dhe muzika po shikohet më shumë se sa po dëgjohet, ndërsa antivlerat nga disa këngëtarë/e që provokojnë publikun jo me cilësi, por me paraqitjen e tyre, si me zhveshje dhe tekste banale, po dominojnë tregun muzikor dhe rrjetet sociale.

Drilon Rama, përtej shkëlqimit në boks ka rrëmbyer zemrat e publikut me edukatën, qetësinë, respektivisht strategjinë që ka përdorur në reality show-n ku aktualisht po merr pjesë. A e keni pritur si të afërt me të këtë sukses apo u befasuat me performancën? A është i tillë edhe në përditshmërinë e tij?
Skënder Hasi: Drilonin e kam djalë të nipit, prandaj nuk ka tjetër, ai mua më thërret dajë dhe unë nip. Me nipat e mi kam shumë afërsi dhe dashuri. Me Drilonin, kur kam shkuar te ta në Gjermani, po ashtu ai kur ka ardhur te ne në Kosovë, kemi qenë shumë të fokusuar në avancimin e tij në boks, dhe unë prej fillimit i thosha që ti nip, je i lindur për të qenë bokser, edhe pamjen e fytyrës e ke të bokserit. Pra, si i talentuar, Driloni ka punuar shumë dhe ka arritur suksese kulminante, së pari në kik-boks dhe pastaj në boksin amator, dhe tani, me kalimin e tij në boksin profesional, nga katër meçe të zhvilluara ka arritur fitore. Hyrja e Drilonit në BBVK është bërë për të bërë emër, pasi që do të ketë më shumë sponsorizues të interesuar për mbështetje në karrierën e tij të boksit profesional. Para hyrjes në shtëpinë e madhe të reality show, si familja ashtu edhe unë e kemi këshilluar që ai të jetë vetvetja dhe me sjelljet, edukatën, kulturën dhe sinqeritetin të fitojë zemrat e shikuesve të të gjithë shqiptarëve që e përcjellin këtë event. Ne me paraqitjen e tij të deritanishme jemi të kënaqur dhe jemi krenarë me këtë djalë, duke parë që ai ka një familje të shkëlqyer dhe ne dajallarët dhe gjithë farefisi!

Kur jemi te Driloni, si ishte ai si fëmijë? A ka qenë gjithmonë ëndrra e tij që të bëhej bokser dhe a mendoni se një ditë, duke parë përkushtimin e tij, do të shpallet kampion bote në kategorinë që përfaqëson?
Skënder Hasi: Qysh si fëmijë, Driloni ka dashur dhe tani e do boksin dhe është i përkushtuar që me punën e tij të arrijë rezultatet kulminante, edhe në boksin profesionist. Besoj shumë që Driloni do të realizojë qëllimin që i ka vendosur vetes dhe një ditë të bëhet kampion europian dhe botëror në kategorinë e tij. Unë Drilonit i dëshiroj shëndet, mbarësi dhe shumë suksese në karrierën e tij!

Duke marrë për bazë përkushtimin dhe dashurinë që publiku po e tregon ndaj tij, a besoni se nëse ka drejtësi, Driloni më 24 janar do të shpallet fitues, pasi të gjitha sondazhet e radhisin atë si fituesin kryesor?
Skënder Hasi: Po, Driloni, bindshëm, do të jetë fituesi i reality show-t, pasi me lojën e tij ka shfaqur virtytet më fisnike njerëzore, me një edukatë dhe kulturë të lartë, duke qëndruar koherent ndaj provokimeve dhe fjalorit fyes e banal të disa banorëve në BBVK. Driloni ka fituar zemrat e audiencës dhe i urojmë suksese edhe pas daljes nga BBVK, si në karrierën e tij sportive në boks, po ashtu edhe në të gjitha segmentet e jetës.

Cila ka qenë përvoja më interesante që keni përjetuar gjatë udhëtimeve si këngëtar?
Skënder Hasi: Në karrierën time kam pasur shumë paraqitje në koncerte, festivale, manifestime kulturore dhe ahengje familjare në vend dhe jashtë vendit. Një prej përvojave më interesante ka qenë turneu me Ansamblin e Shtetit të Shqipërisë në Amerikën e largët, ku në këtë program ishim ftuar si mysafirë nga Kosova, mbreti i këngës epike Ilir Shaqiri dhe unë, Skënder Hasi. Me të vërtetë, në të gjitha koncertet e mbajtura në Amerikë kaluam momente të paharruara në takimet me vëllezërit tanë që kishin emigruar në Amerikë!

Sipas jush, ku është muzika shqipe sot? A jeni i kënaqur me standardin aktual apo duhet ndryshime urgjente?
Skënder Hasi: Duke pasur parasysh rrethanat e krijuara sot, mendoj që prapëseprapë duhet të jemi të kënaqur, pasi po shoh një entuziazëm te të rinjtë dhe të rejat që në shumë AKV (ansamble kulturore dhe vlerësime) në vend dhe jashtë vendit me dashuri dhe fanatizëm kultivojnë vallet dhe këngët tona, me veshjet tona tradicionale-folklorike, dhe me paraqitjet e tyre kudo që shfaqin koncerte, ata na prezantojnë denjësisht dhe shpërblehen me duartrokitje frenetike dhe çmime e mirënjohje meritore!

Për fund, cila është motoja që përdorni më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?
Skënder Hasi: Unë, me profesion, jam ekonomist dhe si moto për zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të vendit tonë të dashur, përdor këtë thënie: Punë, punë, punë, bashkëpunim, partneritet dhe ndryshim në mentalitet!
Intervistoi: Armend Preteni
(Kosova Sot Online)