Dy zemra në një trup: Shqiptari midis Perëndimit dhe Lindjes

  • A.P /
  • 23 October 2025 - 12:43
Dy zemra në një trup: Shqiptari midis Perëndimit dhe Lindjes

Nga Zef Prenka

Ka një pyetje që na ndjek prej shekujsh:
Pse neve shqiptarëve na shkojnë punët gjithmonë “përdreq”?
Pyetje që nuk lidhet me fatin, por me mënyrën si e kuptojmë veten.
Kemi mendje të ndritur, njerëz të zotë, shpirt krijues, por diku, midis idesë dhe veprimit, diçka thyhet.
Është sikur të jemi gjithmonë në udhëkryq ; me njërën këmbë në Perëndim e me tjetrën të ngulur në Lindje.
Dhe pikërisht ky dualitet i thellë shpirtëror është rrënja e krizës sonë identitare.

1. Mendje perëndimore, shpirt e zemër lindore

Flasim për Europën, për demokracinë, për meritokracinë, për shtetin e së drejtës.
Por në përditshmëri sillemi me zakonet e Lindjes: me nënshtrimin ndaj autoritetit, me besën e rreme ndaj “të njohurit”, me ndarjen klanore të çdo çështjeje publike.
Jemi si një popull që e lexon Kantin, jetojmë edhe në Londër, por e bashkëjeton Stambollin.
Kështu lind ajo që filozofia moderne e quatur “simulimi i Perëndimit” ,një formë që ngjan me Perëndimin, por pa përmbajtjen e tij.

Në Perëndim, rendi është institucional; në Lindje, ai është personal.
Perëndimi kërkon përgjegjësi; Lindja kërkon nënshtrim.
Ne, shqiptarët, duam të parën, por jetojmë sipas së dytës.
Kështu, lind paradoksi ynë:
thinking occidentally, acting orientally.
Një mendje që ëndërron Parisin, por një shpirt që i përket Stambollit.

2. Për çudi, shqiptarët duan të jetojnë në Perëndim…

Për çudi, shqiptarët e kanë dëshirë të jetojnë e të punojnë në demokracitë perëndimore ,në Zvicër, Gjermani, Itali, Francë ,në vende ku ligji është mbi njeriun dhe ku puna ka dinjitet.
Por, sapo arrijnë atje, shumë prej tyre mbartin me vete mënyrën e vjetër të të menduarit:
dyshimin ndaj sistemit, nevojën për ndërhyrje, kërkimin e “mikpritjes” edhe atje ku ekziston rregulli.
Pra, trupi është në Perëndim, por koka e zemra mbeten në Lindje.

Pse kështu?
Sepse identiteti nuk ndryshon me pasaportë.
Ai është trashëgimi e gjatë shekujsh nën pushtet oriental, ku pushteti ishte njeri, jo ligj; ku dinjiteti varej nga grada, jo nga merita.
Këto shekuj kanë lënë një kod të brendshëm që s’e heq dot me reforma, sepse është ngulitur në mënyrën se si kuptojmë nderin, drejtësinë dhe raportin me tjetrin.

3. Tragjedia e mungesës së koherencës

Në filozofi ekziston nocioni i koherencës së qenies; të jesh në përputhje me vetveten.

Ne, fatkeqësisht, nuk jemi.

Flasim për meritë, por kërkojmë ndërmjetësin.
Flasim për demokraci, por votojmë me emocion, jo me mendje.
Flasim për bashkim, por përballemi si rivalë në çdo sukses të vogël.
Kështu, jeta shqiptare është bërë një teatër kontradiktash, ku çdo fjalë e madhe përplaset me zakonet e vogla që s’e lënë të ndodhë.

Nuk është faj i natyrës sonë, por i mungesës së reflektimit mbi vetveten.
Ne kemi folur shumë për politikë, për histori, për liderë, por pak për shpirtin shqiptar,për mënyrën si e përjetojmë lirinë, përgjegjësinë dhe tjetrin .

4. Prandaj, Franca & Co. nuk na beson plotësisht

Prandaj, bie fjala, Franca & Co; ajo që simbolizon rregullin, mendimin racional, dhe shtetin e fortë, pra nuk pajtohet lehtë që Shqipëria të futet në Bashkimin Europian.
Jo sepse s’na njeh historinë, por sepse e njeh shpirtin tonë të paqëndrueshëm.
Ata ndjejnë ende në ne atë ndarje midis fjalës dhe veprës, midis ligjit dhe “rregullit të vet”, midis idealit dhe interesit.
Në sytë e tyre, ne jemi ende popull që mban dy pasaporta shpirtërore dhe kjo e bën të vështirë hyrjen në një komunitet ku koherenca është themel.

Ndërsa Kosovën - atë copë shprese që lindi nga vuajtja e lënë shpesh si lëmshin nëpër këmbë, mes padrejtësive diplomatike dhe interesave gjeopolitike.
Sepse për ta, ajo ende përfaqëson një tokë ku historia nuk është shëruar, ku dritat e Perëndimit nuk ndriçojnë dot paqen e plotë të ndërgjegjes.
Dhe kështu, shqiptarët mbeten në pritje, midis dëshirës për t’u bërë europianë dhe ngurtësisë për të mbetur ata që ishin.Ketë dyfytyrësi tonën, ne nuk e njohim, por Perëndimi po.

5. Përballja e nevojshme me veten

Dalja nga ky “përdreq” kërkon përballje, jo fajësim.

Duhet të kuptojmë se kalimi nga Lindja në Perëndim nuk është rrugë gjeografike, por udhëtim metafizik.
Perëndimi nuk është thjesht një hapësirë me institucione e rregulla, por është një mënyrë e të menduarit, një akt ndërgjegjeje, një kulturë përgjegjësie.
Ai fillon kur shqiptari e kupton se ligji nuk është pëngesa, nuk është armik, se puna nuk është ndëshkim, se liria nuk është anarki.

Kur ta kuptojmë këtë, nuk do të kemi më nevojë të emigrojmë për të ndjerë rendin, ligjin dhe drejtësinë,sepse ai do të jetë pjesë e shpirtit tonë.
Vetëm atëherë fjala “ne shqiptarët” nuk do të tingëllojë më si ankesë, por si dinjitet.
Sepse Perëndimi, në fund të fundit, nuk është vend ku shkohet ,
është vetë mënyra si zgjedh të jesh njeri.

Deri atëherë, do të mbetemi ajo qenia e ndarë që ecën me dy ritme: një hap në Europë dhe një në Lindje.
Por ndoshta, në këtë ndarje, qëndron edhe shpresa jonë ,sepse kush e ndien kontradiktën, është tashmë në rrugën e shërimit.
Vetëm ai që e njeh plagën, mund ta shërojë në dritën e realitetit.
E kur kjo dritë të vijë, do të kuptojmë se Perëndimi i vërtetë fillon aty ku shqiptari pajtohet me vetveten.

(Kosova Sot Online)