Profesori Hajri Shehu dhe Profesori Tefë Topalli, dy shkencëtarë të shquar të Albanologjisë
Nga Eshref Ymeri
Rreth dy muaj më parë, Prof.dr. Hajri Shehu, dhe Prof.dr. Tefë Topalli, më gëzuan pa masë me dhuratat e tyre të çmuara.
Profesori Hajri Shehu më dhuroi dy libra mjaft interesantë. Libri i parë titullohet “Vise e vite dhe miq e shokë”.
Është një vepër e vëllimshme e formatit të madh, me 418 faqe. E ka hedhur në qarkullim këtë vit Shtëpia Botuese M&B.
Libri hapet me këtë përkushtim mbresëlënës:
“Këtë libër ua kushtoj atyre burrave dhe grave, që më pritën me tërë bujarinë e tyre e me tërë përkujdesjen e tyre në ekspeditat e mia gjuhësore dhe më dhanë fjalën e bukur shqipe e shprehjen e bukur shqipe”.
Emocionet e mia shtohen edhe më shumë kur kujtoj njohjen dhe miqësinë tonë të hershme me Profesor Hajriun, që prej periudhës së studimeve në Fakultetin e histori-filologjisë të Universitetit të Tiranës në vitet ’60 të shekullit të kaluar.
Ky libër është një enciklopedi e rrallë e jetës së Profesor Hajriut, me prejardhje nga një familje e nderuar dibrane, e dashurisë dhe e respektit të thellë që ai ushqen për vendlindjen e vet, për të gjithë njerëzit e çmuar që ka takuar në jetën e tij.
Aty shpaloset jeta e tij në hapësirat dibrane, rreth njerëzve të familjes - prindërve, motrave dhe vëllait, bashkëshortes dhe djalit, Bledarit. - dhe fisit Shehu, mbiemër ky i rreth 100 familjeve dibrane, si edhe të banorëve të asaj treve, të cilën e pati shkelur me pëllëmbë, si nxënës, si mësues dhe si pjesëtar i ekspeditave gjuhësore për vjeljen e fjalëve nga thesari i pashtershëm i gurrës popullore.
Është për të ardhur keq që, më vonë, pas vitit 1990, nuk organizohen më ekspedita të tilla gjuhësore në të gjitha trevat amtare, siç i pati organizuar dikur emblema e shkencës gjuhësore shqiptare, Profesor Androkli Kostallari (1922-1992).
Në këtë libër lexojmë skena nga takime me mbresa të pashlyera të Profesor Hajriut nga jeta që ai ka kaluar jo vetën në trevën e Dibrës, por dhe nga koha e viteve studentore në Bashkimin Sovjetik, në Universitetin e Tiranës, në Gjirokastër, si pedagog i gjuhës angleze, si pedagog i anglishtes në Universitetin e Tiranës, nga takime me miq në Universitetin e Oksfordit dhe si bashkëpunëtor shkencor dhe Profesor pranë Profesor Androkli Kostallarit në Institutin e gjuhësisë dhe të letërsisë.
Më lanë përshtypje të thellë mbresat e Babait të nderuar të Profesor Hajriut - Sadik Shehut - për heroin e shquar të historisë sonë kombëtare, Elez Isufin. Prijësi i shquar i popullit dibran, i cili njihej si “gjenerali me shajak”, në periudhën dhjetor 1920 - dhjetor 1921, kur vendi ynë nuk kishte as qeveri të konsoliduar, as ushtri të organizuar, ngriti më këmbë populli dibran dhe i dha dërrmën përfundimisht ushtrisë pushtuese serbe dhe Lumin Drini i Zi e pati mbushur me kufoma ushtarësh serbë, çka edhe sot e kujtojnë me tmerr në Beograd.
Libri i dytë titullohet “Jetëshkrime dhe vepra miqsh dhe shokësh”, po e formatit të madh, me 462 faqe, është hedhur në qarkullim po këtë vit, nga e njëjta shtëpi botuese.
Kjo vepër të emocionon që në fillim të kreut I, me citimin në vijim:
“Ditët dhe vitet kanë lënë gjurmë. Dhe nuk janë si ato gjurmët në rërën e imët të bregdetit, që, pasi ke kaluar pak më tej, t’i mbulon ajo era që të rreh shpinën. Ato kanë mbetur. Ato nuk mbulohen. Sepse janë ngulur thellë në mendje dhe në zemër. Ngaqë i kam jetuar dhe përjetuar thellë me mendje dhe me zemër”.
Në këtë vepër, Profesor Hajriu ka bërë “skanerin” e aktivitetit krijues të 67 figurave, të njohura në shumë fusha të dijes, si në arsim, etnologji, frutikulturë, gjeografi, gjeologji, gjuhësi, histori, letërsi artistike, mjekësi, muzikë, publicistikë etj. Si autor dhe bashkautor fjalorësh të shumtë, si edhe i një morie veprash monografike, analizash dhe artikujsh shkencorë, Profesor Hajriu, në faqet e këtij libri, del para lexuesve me një kujtesë të jashtëzakonshme. Janë me qindra e qindra emrat e njerëzve të dashur dhe të respektuar që ai ka takuar në jetë. Midis tyre, janë edhe shkencëtarë të huaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Bullgaria, Siria etj, si Leonard Nju Mark, Patrick Honks, Stjuart Meni (Stuart Mann), Terry Hoad, Ludmill Stankov, Abdu Daim Kahil - hulumtuesi i mrekullive shkencore të Kur’anit.
Këto dy vepra, të botuara, siç u theksua më lart, në vitin në vazhdim, dëshmojnë më së miri se bota krijuese e Profesor Hajriut vazhdon ritmin e punës me ngarkesë të plotë dhe me rendiment të lartë.
Profeso Hajri Shehu ka gëzuar gjithmonë nderimin dhe respektin e të gjithë shokëve dhe miqve të vet besnikë. Si një shkencëtar i shquar në gjuhësinë shqiptare, ai ka qenë dhe ka mbetur gjithmonë model i shkëlqyer i thjeshtësisë dhe i modestisë intelektuale.
Profesor Hajriut i shpreh mirënjohjen time të thellë për dhurimin e këtyre dy librave të çmuar.
Prof.dr. Tefë Topalli më dhuroi librin me titull “Krestomaci e Albanologjisë”, vëllim I, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Tiranë 2024.
E ndiej veten të ngazëllyer edhe për marrjen e kësaj dhurate të çmuar nga Profesor Tefa. Kjo vepër është një homazh i shkëlqyer për 126 figura me emër të madh në fushën e albanologjisë. Ky mjeshtër i nderuar i gjuhës shqipe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e arsimit, duke filluar nga puna dhe përkujdesjet e jashtëzakonshme për ciklin e ulët, deri në auditoret e disa universiteteve të vendit dhe të huaja.
Puna e tij me pasion, e shoqëruar me dashurinë e paçmuar për gjuhën shqipe, për këtë kryezonjë në aradhën e gjuhëve evropiane, është përjetësuar në një vargan të tërë botimesh shkencore prej më shumë se njëzet veprash. Këto vepra janë një pasuri e pamatë në raftet e bibliotekave, deri në raftet e të gjithë atyre nxënësve dhe studentëve, të cilët, me studimin e gjuhës shqipe, duke filluar nga Abetarja deri në bangat e universiteteve, e ndiejnë veten shumë krenarë për mësuesit dhe profesorët e tyre.
Kjo Antologji i ngjan lexuesit si një vitrinë joshëse, kur lexon emrat e atyre 126 talenteve të penës në punën e tyre kërkimore-shkencore.
Më kapën emocione të thella dhe u mallëngjeva së tepërmi kur lexova emrat e disave nga ato personalitete, të renditura në këtë Krestomaci, me të cilat më patën lidhur vitet e shkollimit deri na bangat e universitetit. Profesori i dashur Tefë Topalli më nxiti të shtegtoj tutje në vite dhe të mundohem të vë në punë kujtesën time, duke u zhytur në humnerat e saj.
Më emocionojnë kujtimet për Profesorin e shquar Selman Riza, dardanin me emër të madh nga Gjakova, dijetarin e formatit evropian, Profesorin e Liceut të Korçës, i cili pati pwrfunduar me rezultate tw shkëlqyera dy fakultete nw Francë, në Universitetin e Tuluzws, i përndjekur edhe nga fashizmi, edhe nga diktatura komuniste e kryeargatit tw Beogradit Enver Hoxha.
Kur isha student i fakultetit të historisë dhe të filologjisë në vitet 1962-1966, Profesor Selman Riza na jepte leksionet e lëndës “Historia e gjuhës së shkruar shqipe”. Një ditë, kur sapo hyri në audiorin e madh të katit të dytë, ku ne, studentët, po bënim shumë zhurmë, Ai na u drejtua me pyetjen:
“Ç’bëhet këtu? Çorganizim i organizuar apo organizim i çorganizuar?”.
Ne u shkrim gazit dhe menjëherë u qetësuan, duke zënë vend nëpër banga gjithsecili.
Po me të njëjtin respekt kujtoj Profesorin Shaban Demiraj, mjeshtrin e lëndëve “Gramatika historike” dhe “Morfologjia e gjuhës shqipe”, natyrën e tij të qetë dhe njohuritë e tij enciklopedike.
Me shumë respekt kujtoj Profesorin Spiro Floqi, i cili na jepte leksionet e sintaksës së shqipes.
Më emocionon tej mase emri i Profesor Androkli Kostallarit, me të cilin kam pasur miqësi gjatë kohës kur drejtoja Redaksinë e botimeve në gjuhë të huaja në Shtëpinë botuese “8 Nënori” në vitet 1981-1989. E kam pasur udhëheqës të doktoratës, me temë “Paralelet leksiko-frazeologjike të shqipes me rusishten”, të cilën e pata mbrojtur në fakultet në vitin 1989. I jam shumë mirënjohës atij shkencëtari të madh, i cili, që asokohe, më pati orientuar për metodologjinë e hartimit të Fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe.
Një tjetër emër i nderuar ruhet në kujtesën time - emri i Profesorit Anastas Dodi, të cilin e kam pasur profesor të gjuhës shqipe në Gjimnazin Ali Demi në Vlorë, në vitet 1955-1959, kurse në fakultet e kam pasur Profesor të Fonetikës së gjuhës shqipe.
Me respekt të veçantë kujtoj Profesorin Remzi Përnaska. Na jepte ushtrimet e sintaksës. Ishte mjaft i talentuar në dhënien e kësaj lënde me shumë peshë në formimin dhe pajisjen e studentëve me dije të thella.
Profesori elbasanas, Mehmet Çeliku, na jepte lëndën e ushtrimeve të morfologjisë së gjuhës shqipe.
Profesori dhe akademiku Jani Thomaj, autori i të parit fjalor frazeologjik të gjuhës shqipe, na jepte lëndën e leksikologjisë.
Profesori Emil Lafe na jepte lëndën e Hyrjes në gjuhësi.
Me Profesorin Ali Dhrimo, së bashku me Profesorin e shquar të frëngjishtes, Edmond Tupja, jemi bashkautor të Fjalorit sinonimik të gjuhës shqipe, të botuar në vitin 2002, të ripasuruar dhe të ribotuar në vitin 2007.
Me profesorin Hajri Shehu, siç e përmenda më lart, jemi miq të vjetër. Ai është autor i dy recensave të fjalorëve të mi frazeologjikë rusisht-shqip dhe anglisht-shqip, të botuar respektivisht në vitin 2015 dhe 2018. Ai është autor edhe i recensës së fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe, të botuar në vitin 2022.
Me Profesorin Rami Memushaj, redaktorin e disa fjalorëve të mi frazeologjikë dy gjuhësh, edhe me bashkautorë, si edhe i parathënies së fjalorit frazeologjik të gjuhës shqipe, njihem që gjatë viteve që vazhdoja gjimnazin në Vlorë, kur ai ishte nxënës në Shkollën pedagogjike “Jani Minga” të atij qyteti.
Jam i bindur se kjo Krestomaci e Profesorit Tefë Topallit, do t’u shërbejë brezave pasardhës, si një “shtatore” hijerëndë në lartoren (piedestalin) e mermertë të historisë sonë kombëtare, për t’i nderuar dhe për t’u përulur me respekt para albanologëve të shquar të kombit shqiptar.
Të shkruash vepra në nderim të të tjerëve, do të thotë të zbulosh bukurinë e shpirtit tënd, çka të kujton fjalët e filozofit francez Rene Dekart (René Descartes - 1596-1650), i cili ka thënë:
“Respekti ndaj të tjerëve është burim i respektit ndaj vetvetes”.
Bukuria e një shpirti të tillë domosdo që shoqërohet edhe me një zemër të madhe të këtyre dy profesorëve të shquar. Pikërisht për një zemër të tillë, poeti rus, Aleksandër Pushkini, shkruan:
“Zemra është jo vetëm organ, por edhe simbol i ndjenjave, pasioneve dhe emocioneve të thella”.
Profesor Tefë Topallit i përcjell falënderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen time të thellë, duke i uruar suksese në punën e tij shkencore, si edhe në artin dhe kulturën e mësimdhënies në auditoret e universiteteve.
(Kosova Sot Online)
