Profecitë e Profesor Pëllumb Pilinçit dhe Godó-ja
Nga Eshref Ymeri
Andej nga fillimpranvera e këtij viti, në Tiranë, nisi transmetimet një kanal i ri televiziv, i quajtur “Shpresa”. Nga ekrani i këtij televizioni, në çdo mbrëmje, pati filluar të japë intervista, dhe vazhdon të japë përditë, një qytetar shqiptaro-amerikan, me titullin shkencor “Profesor”, siç është prezantuar vetë, Pëllumb Pilinçi. Në ato intervista, që gjatë pranverës, ai pati deklaruar se nuk do të bëheshin zgjedhjet e 11 majit. Veç kësaj, që asokohe, ai pati deklaruar dhe vazhdon të deklarojë se qenka krijuar qeveria teknike dhe se do të filluakan arrestimet në sferat e larta të pushtetit neokomunist të Ramës. Por deri tani, kur po i afrohemi fillimit të vitit 2026, as kemi parë dhe as kemi dëgjuar që të arrestohen “peshqit e mëdhenj”, siç janë etiketuar hierarkët hajdutë, pasardhës të diktaturës kriminale të Enver Hoxhës. Deklaratat e Profesorit në fjalë, të transmetuara gjatë pranverës në televizionin “Shpresa”, i pati përkrahur edhe avokati Zaçe Islami, i njohur në mbarë vendin për brymosjen e tij nacionaliste. Por rrjedha e ngjarjeve vërtetoi se Profesor Pëllumb Pilinçi e pati futur avokatin e nderuar në një rrugë pa krye, të cilën ai e braktisi, duke u shprehur edhe publikisht kundër këtij Profesori. Ditën e djeshme, 04 dhjetor, ndoqa në youtube intervistën e radhës të Profesor Pëllumb Pilinçit, nga e cila kam zbardhur fragmentin në vijim:
“... Të dashur shqiptarë! Erdhi koha. Në tirani ka rënë një zjarr, një stuhi, e paparë në historinë e Shqipërisë... Miqtë e mi shqiptarë! Mungojnë jo një bilion, jo dy bilionë, jo tre, por shumë bilionë dollarë mungojnë me kokëmëdhenj... Të dashur shqiptarë! Puna është shumë serioze. Senati amerikan, Kongresi amerikan, kanë vendosur urgjent sa më shpejt të mbarojnë arrestimet dhe sa më shpejt të bëhen konfiskimet e parave që janë të vjedhura, e parave që janë të bllokuara, të Amerikës, që janë në tokën e Shqipërisë. Këto para do t’u dhurohen shqiptarëve, që t‘i përdorin sa më shpejt. Pra, të dashur shqiptarë, ka ardhur koha që Amerika, çdo ditë, po bën mbledhje vetëm e vetëm, urgjentisht, vetëm e vetëm për çështjen e Shqipërisë, për kriminelët e Shqipërisë, për hajdutët e Shqipërisë...”.
Këto deklarata të këtij Profesori, të cilat vazhdojnë t’u serviren qytetarëve shqiptarë çdo mbrëmje, të kujtojnë dy shprehje fort domethënëse të Shqipes sonë të bukur, me kuptim ironik, deri në tallje me dikë:
“shtyhu se ta arrijë” dhe “e mban me ujë të ngrohtë (të vakët) dikë”, të cilat përdoren në kuptimin: “e mban me fjalë të mira, por nuk i zgjidh asgjë, e mban me shpresa të kota dikë”.
Intervista të tilla, sipas të cilave shumë shpejt dashka të bëhet “mrekullia” - të gjithë hajdutët, me në krye kryehajdutin Rama dhe bandën e tij, do të përfunduakan pas hekurave dhe shqiptarëve do t’u kthyekan paratë e vjedhura - i bëjnë mbarë teleshikuesit të dyshojnë thellë për një bashkëpunim të fshehtë dhe thellësisht djallëzor të Ramës me Profesor Pëllumb Pilinçin, me qëllim yshtjen e tyre me shpresa të kota, me qëllim zgjatjen e pushtetit të bandës neokomuniste, deri në pafundësi. Ky dyshim i bazuar i teleshikuesve i bën ata të vijnë në përfundimin se Profesor Pëllumb Pilinçi ka marrë përsipër të luajë rolin e Godosë, duke e vënë veten plotësisht në shërbim të Ramës. Pra, me premtimet e veta të çdo mbrëmjeje, Profesori u bën thirrje shqiptarëve të rrinë “në pritje të Godosë”, pra, në pritje të pakuptimtë. Kështu është titulluar pjesa e njohur e shkrimtarit dhe e dramaturgut irlandez Beket (Samuel Beckett - 1906-1989), laureat i çmimit Nobel për letërsinë për vitin 1969, një pjesë tipike kjo për teatrin absurd. Pjesën ai e pati shkruar në frëngjishte (En attendant Godot) në fundin e vitit 1948 dhe në fillimin e vitit 1949 dhe mandej e pati përkthyer vetë në anglishte (Waiting for Godot). Personazhet kryesore të pjesës janë endacakët Vladimir dhe Estragon, të cilët e kalojnë kohën në një pritje sfilitëse të njëfarë Godoje, i cili në skenë nuk shfaqet asnjëherë. Pra, autori në këtë vepër dramaturgjike stigmatizon qëndrimin pasiv, pritjen e pakuptimtë, pritjen e kotë të diçkaje, në vend të punës konkrete, praktike.
Profesori Pëllumb Pilinçi ka më shumë se tetë muaj që kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve se së shpejti do të fillojnë arrestimet e shtetarëve të lartë të korruptuar, se atyre do t’u konfiskohen pasuritë. Por nuk u thotë asgjë se kush do t’i bëka ato arrestime dhe ato konfiskime ? Mos vallë i ashtuquajturi vetting i Ramës? Po vallë nuk e ditka Profesori që Rama ka deklaruar publikisht:
“Kush e bëri reformën në drejtësi? Rama: Amerikanët sollën Noc Rrokun, e bëri PS me mua në krye” (Faqja e internetit “Voxpress”. 31 tetor 2024).
Po pse nuk ka reaguar Profesor Pilinçi ndaj kësaj deklarate të Ramës ? Nuk ka reaguar se është bashkëpunëtor dhe misionar i Ramës. Prandaj edhe nuk i bën thirrje mbarë popullit shqiptar të ngrihet peshë më këmbë dhe ta rrëzojë nga pushteti kryehajdutin Rama, armikun e mbarë kombit shqiptar dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të kryekriminelit të popullit dardan, Aleksandër Vuçiç.
Siç u përmend më lart, Profesor Pilinçi deklaron se “Amerika, çdo ditë, po bëka mbledhje vetëm e vetëm, urgjentisht, vetëm e vetëm për çështjen e Shqipërisë, për kriminelët e Shqipërisë, për hajdutët e Shqipërisë... ”.
Vajmedet, ore Profesor Pilinçi, që nuk e kuptuakeni fare që jeni bërë krejtësisht qesharak në sytë e teleshikuesve, si një shërbëtor besnik i Ramës! Amerika, sipas jush, s’paska punë tjetër, por u marrka vetëm me Shqipërinë!!!
(Kosova Sot Online)
